Ursula von der Leyen publikon foto nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë: Një moment historik për Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar mbajtjen e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë si një ngjarje historike dhe simbolike për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në një postim në rrjetin social X, von der Leyen theksoi se, pavarësisht shiut të rrëmbyeshëm që ra gjatë ngjarjes, ky moment nuk ka zbehur aspak moralin e pjesëmarrësve.
Ajo falënderoi kryeministrin Edi Rama për mikpritjen e shkëlqyer dhe e vlerësoi takimin si një “simbol të fuqishëm” që tregon afërsinë e rajonit me Bashkimin Evropian. Presidentja e Komisionit Europian u shpreh se ky ishte takimi i parë i këtij lloji që mbahet në Ballkanin Perëndimor dhe e cilësoi si një dëshmi të angazhimit të BE-së për të vazhduar përpjekjet për integrimin e vendeve të rajonit.
“Familja jonë evropiane e vlerave është më e madhe se kufijtë e Bashkimit Evropian. Ne ndajmë një kontinent dhe një të ardhme të përbashkët,” shtoi von der Leyen, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për një të ardhme të ngushtë dhe të qëndrueshme mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.