Aktualitet dhe Lajme

U vra me breshëri plumbash në oborrin e shtëpisë, përcillet sot në banesën e fundit Gentjan Bejtja

Share

Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja, që u vra një ditë më parë përmes një atentati të mirëorganizuar në Fushë Krujë, përcillet sot për në banesën e fundit.

Familja njofton se 43-vjeçari do të varroset në orën 14:00.

Bejtja u kishte shpëtuar tri atentateve, por i katërti, ai i djeshmi, ishte fatal për të. Teksa ndodhej në oborrin e banesës në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës, duke punuar në serrë, persona të maskuar e qëlluan me breshëri plumbash.

Pas ngjarjes, u shoqëruan në polici disa persona me precedentë kriminalë në zonë.

Valter Bami, një prej personazheve të botës së krimit me të cilin viktima ka pasur konflikte të hapura, është njëri prej të shoqëruarve në polici. Bami ishte një prej të arrestuarve pas atentatit të 4 korrikut 2023 ndaj Bejtjas në Larushkë të Krujës, ku u plagosën djemtë e Gentian Bejtes, 10 dhe 13 vjeç dhe u vra kunati i tij Ramazan Sino. Atij iu gjet barut në duar dhe për pasojë u la në arrest shtëpie, masë që përfundoi në 18 janar të këtij viti.

Në vendngjarje u gjetën rreth 50 gëzhoja kallashnikovi që dyshohet të jenë qëlluar nga 2 armë të ndryshme, ndërsa makina “Land Rover” dhe targat e saj, rezultojnë të jenë vjedhur në Shkodër në gusht të 2023-it.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button