U rrëzua nga çatia e kishës në Korçë, ndërron jetë në spital prifti Kristaq Viso

Ditën e sotme, ka ndërruar jetë në spital Prifti Kristaq Viso, i cili ra aksidentalisht nga çatia e kishës në Korçë.
Lajmi për ndarjen nga jeta të priftit e ka bërë të ditur Mitropolia e Shenjtë Korçë në një postim në rrjetet sociale.
“Sot fjeti më Zotin Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso”, shkruhet në postim, duke shtuar: “Mitropolia e Shenjtë e Korçës i shpreh ngushëllime të përzemërta bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë familjarëve dhe të afërmve”.
Postimi i Mitropolia e Shenjtë Korçë:
Sot fjeti më Zotin Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso!
Mitropolia e Shenjtë e Korçës i shpreh ngushëllime të përzemërta bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë familjarëve dhe të afërmve! I lutemi Perëndisë, të cilit i shërbeu, që ta ndjejë dhe ta prehë shpirin e tij me shenjtorët në gjirin e Avramit në Mbretërinë e Qiejve!
Qoftë e lumur udha në të cilën shkon ti sot, se të është përgatitur vendi i prehjes lart në qiell, paraisë të mbarë o vëllai ynë i lumur dhe i gjithmonë kujtuar!
DETAJET
Prifti Kristaq Viso u rrëzua aksidentalisht nga çatia kishës më 19 Maj dhe u dërgua me urgjencë drejt Tiranës për mjekim të specializuar, por gati 2 javë pas ngjarjes iu nënshtrua plagëve të marra.
Ishte kryepeshkopi Joan Pelushi, ai që kërkoi transferimin e priftit në Tiranë pasi gjendja e tij ishte shumë e rënduar për shkak të dëmtimeve në kokë dhe trup.
Sipas informacioneve, prifti ka qenë në çati duke punuar për të nxjerrë disa tjegulla dhe llamarina.
Nga vjetërsia dhe kalbja e pjesës së tavanit, prifti ka rënë brenda ambienteve të kishës pasi platforma është shembur.
Sipas burimeve, kisha është e vjetër dhe do të rikonstruktohej së shpejti, ndaj dhe prifti kishte hipur në çati për të zgjedhur materialet, të cilat mund t’i hynin në punë.
Në momentin e ngjarjes, në kishë raportohet se ndodhej edhe një prift tjetër, jashtë ambienteve të saj.
“Rreth orës 11:00, në lagjen nr. 14, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga çatia e kishës ku shërben si prift, shtetasi K. V., rreth 63 vjeç, i cili u dërgua në spital, për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit”, njoftuan blutë ditën e ngjarjes.