Aktualitet dhe Lajme

U kap me armë pas ndjekjes si nëpër filma, publikohen pamjet nga arrestimi i 29-vjeçarit Skerdi Sina (VIDEO)

Share

Policia e Shtetit, ka publikuar pamjet nga arrestimi i 29-vjeçarit, Skerdi Sina, i cili u kap ditën e djeshme pas një ndjekje si nëpër filma.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, bën me dije se Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan vendimin e Gjykatës, për dënimin me 4 muaj burgim të tij, për plagosje të rëndë, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.

Kujtojmë se ditën e djeshme në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë, rreth orës 16:30, Forcat “Shqiponja” i kërkuan ndalimin një automjeti tip “Audi Q8”, pasi kishin dyshime se personat në të ishin të armatosur.

Drejtuesi nuk iu bind urdhrit, u largua me shpejtësi dhe përplasi tre automjete. Më pas, ai dhe pasagjeri braktisën makinën në rrugën “Moskat” dhe hodhën një armë zjarri në rrugë.

Policia arrestoi pasagjerin, shtetasin Skerdi Sina, 29 vjeç, të cilit iu gjetën një krehër dhe municion gjatë kontrollit.

Kujtojmë se emri i Skerdi Sinës figuron edhe në një ngjarje në zonën e Astirit, në janar të këtij viti, teksa një e re u mbajt e mbyllur në apartament nga i dashuri dhe disa persona të tjerë, mes tyre dhe Skerdi Sina, bën me dije gazetari Igli Çelmeta.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e drejtuesit të mjetit, i cili është identifikuar.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Në vijim të informacion të dhënë pasditen e djeshme, mbi vënien në pranga të shtetasit S. S., informojmë se në vijim të veprimeve, për këtë shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda:

-ekzekutuan vendimin e Gjykatës, për dënimin me 4 muaj burgim të tij, për plagosje të rëndë, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme;

-ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë, për ndalimin e këtij shtetasi, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Më tej, në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me rastin e djeshëm, u gjet në automjetin e sekuestruar, dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Vijojnë kontrollet për drejtuesin e automjetit, me të cilin lëvizte shtetasi S. S., të identifikuar nga Policia, menjëherë pas rastit.
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

 




Huazuar nga albeu.com

Back to top button