Aktualitet dhe Lajme

Tre deputetë, dhe një ish ministër mes 14 zyrtarëve nën hetim nga SPAK

Share

Disa javë më parë, SPAK ndezi një debat publik pasi konfirmoi se një ish-ministër është nën hetim, por zgjodhi të mos zbulojë emrin duke u mbështetur tek sekreti hetimor.

Tashmë, në publikimin periodik të korrespondencës me gazetarët dhe mediat, i shpërndarë përmes faqes së transparencës, Prokuroria e Posaçme ka dhënë disa të dhëna të tjera mbi hetimet që po kryen.

Sipas informacionit të bërë publik, aktualisht janë 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë me statusin e personit nën hetim, përfshirë tre deputetë, një ish-ministër dhe një ish-deputet.

Megjithatë, SPAK nuk ka zbuluar as emrat e tyre, as veprat penale konkrete për të cilat po hetohen.

Në pyetjet drejtuar këtij institucioni për të identifikuar ministrin nën hetim dhe nëse po shqyrtohet aplikimi i një mase sigurie ndaj tij/saj, SPAK është përgjigjur duke refuzuar dhënien e informacionit.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme është pyetur lidhur me veprimet e IKMT-së dhe AKSH-së, në kuadër të aksionit të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Për këtë çështje, SPAK është shprehur se nuk bën pjesë në kompetencat e këtij organi.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button