
Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin anglez, pasi një tifoz ka humbur jetën në tribunë gjatë një ndeshjeje të së shtunës. Incidenti ndodhi në stadiumin Bloomfield Road, gjatë përballjes mes Blackpool FC dhe Peterborough United.
Klubi vendas konfirmoi se bëhet fjalë për tifozin Graham Charman, i cili pësoi një emergjencë të rëndë shëndetësore në pjesën e dytë të ndeshjes. Loja u ndërpre përkohësisht pasi tifozët në tribunën North Stand dhanë alarmin dhe kërkuan ndihmë urgjente.
Ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë në tribunë dhe i dhanë ndihmën e parë, por pavarësisht përpjekjeve, tifozi fatkeqësisht ndërroi jetë në vend.
Në një deklaratë zyrtare, Blackpool FC shprehu dhimbjen për humbjen: klubi konfirmoi se ka kontaktuar familjen e të ndjerit dhe do të qëndrojë pranë tyre në këtë moment të vështirë, duke i dërguar ngushëllimet më të sinqerta.
Pas ndeshjes, trajnerët e të dy skuadrave reaguan me mesazhe prekëse. Trajneri i Blackpool, Ian Evatt, theksoi se ka gjëra më të rëndësishme se futbolli dhe shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës. Ndërsa trajneri i Peterborough, Luke Williams, e cilësoi ngjarjen si thellësisht tronditëse dhe shprehu solidaritet me të afërmit.
Në aspektin sportiv, ndeshja përfundoi me fitoren 3-1 të Blackpool FC, me dy gola nga Dale Taylor dhe një nga Tom Bloxham, duke i dhënë ekipit një avantazh të rëndësishëm në luftën për mbijetesë në kampionat.
Start News