Tragjedi gjatë xhirimeve të “Emily in Paris”/ Ndërron jetë ndihmësregjisori, u rrëzua përpara stafit të xhirimeve

Ndihmësregjisori i ‘Emily in Paris’, ka ndërruar jetë gjatë xhirimeve të sezonit të 5-të në Venecia. 47-vjeçari Diego Borella, u rrëzua përpara stafit të xhirimeve ndërsa përgatitej për skenat e fundit, duke bërë që xhirimet të ndërpriteshin përkohësisht.
Sipas La Repubblica, mjekët mbërritën me urgjencë në hotelin Danieli rreth orës 19:00 të enjten, më 14 gusht, por nuk arritën ta ringjallnin.
Gazeta raportoi se vdekja e tij ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një atak kardiak.
Borella kishte lindur në Venecia në vitin 1978. Ai ishte një regjisor dhe shkrimtar i njohur, i cili kishte studiuar në Romë, Londër dhe Nju Jork.
Në rrjetet sociale, ai shpërndante punimet e tij në fushën e tregimeve dhe dramave.
Xhirimet për sezonin e pestë të ‘Emily in Paris’, filluan më 15 gusht në Venecia dhe ishin planifikuar të përfundonin të hënën.
Pavarësisht humbjes së ndihmësregjisorit, Netflix ka konfirmuar se sezoni i ri do të ketë premierën më 18 dhjetor. Sipas gazetës spanjolle El Mundo, Borella u shpall i vdekur në orën 19:30, pasi përpjekjet për ta ringjallur rezultuan të pasuksesshme.
Miku i tij i ngushtë, Mattia Bertoton, i dha lamtumirën me fjalë prekëse: ‘Kam kujtime të bukura për Diegon.
Ai ishte një djalë i pashëm, elegant dhe me shumë stil. Herën e fundit që u takuam ishte në një darkë në Paris, së bashku me shoqen e tij më të mirë, e cila është edhe mikja ime.
E telefonova të enjten – ishte e shkatërruar. Diego kishte një sens të shkëlqyer humori, ishte brilant dhe shumë i talentuar. Jeta e tij u ndërpre në mes, kështu që nuk ka shumë fjalë. Vetëm një trishtim i madh.’
Sezoni i pestë, me Lily Collins në rolin e Emily Cooper, do të zhvendosë ngjarjet në një qytet të ri –Romën-duke vazhduar aventurën evropiane të heroinës.
Seriali ndjek jetën profesionale dhe personale të një amerikaneje që fillon një karrierë të re në Paris si stratege e mediave sociale.