Aktualitet dhe Lajme

“Tërhiqu se do ta kesh keq punën!”, Hoxha: Mëngjesi është në gjendje shumë të rëndë, nuk e çojnë dot jashtë

Share

Artan Hoxha ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për sulmin brutal ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, i cili vijon të jetë në gjendje koma.

Hoxha shpjegoi sulmin ndaj Mëngjesit dhe dyshimet e deritanishme se kjo është një ngjarje që ka lidhje me një konflikt të avokatit me klientët e tij dhe pasi avokati ka fituar çështjen e pronësisë, njëri prej klientëve nuk ka dashur të zbatojë kontratën dhe dyshohet se ka urdhëruar sulmin.

“Ngjarja është shumë e rëndë, kujtdo që t’i ndodhë. I vetmi favor që kanë bërë autorët, kanë pritur ta çojë djalin. Janë treguar barbarë. Sapo ka dalë nga kopshti, e ka qëlluar një person, i cili duhet të ketë patur dorezë hekuri në dorë. Goditja në pjesën ballore është mjaft e madhe, ka një frakturë.

Në momentin e parë ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në tokë, kur ka rënë në tokë, kanë shkuar agresorët e tjerë dhe i kanë rënë me shkelma në kokë. Ai ka humbur ndjenjat dhe e godasin sërish me shqelma në fytyrë. Ka edhe një lloj urrejtje për ta bërë. Më vonë është njoftuar policia, autorët janë larguar në këmbë, e kanë llogaritur më parë si do të largoheshin. E çuditshme ka qenë, krahasuar me ngjarjet e tjera, nuk kanë përdorur maska, vetëm një kapele, gjë që i ka bërë të identifikueshëm.

Avokati është transportuar në spital, në momentet e para kur është bërë kontrolli, ka qenë i vetëdijshëm dhe pastaj ka humbur koshiencën. Vijon të jetë në gjendje të rëndë, shumë të rëndë. Pra mjekët më shpjeguan që avokati nuk mund të transportohet as me avion për ta çuar në një vend të BE, për ti dhënë ndërhyrje më të specializuar. Është në gjendje shumë të rëndë, është i intubuar.

Kemi të bëjmë me një avokat, që ka imazhin e një profesionisti, është avokat i shkolluar dhe formuar në Universitetin e Selanikut. Është pedagog, një nga avokatët që ka disa nga çështjet më të rëndësishme. Përveç zotit Berisha, ka çështjet e Kishës Ortodokse, një biznesmen izraelit, çështjen Becheti, etj. Pra, edhe imazhi që ka mes juristëve është imazhi i një profesionisti të mirë.

Fillimisht u zbulua njëri prej autorëve dhe më pas tre të tjerët, që janë ende në kërkim, ka shpërblim 20 mijë euro. Dyshimet janë që edhe mund të largohen nga vendi, policia po bën përpjekje për të patur kujdes të shtuar në pikat kufitare.

Policia ka kontaktuar miq dhe të afërm të avokatit, që i kanë dhënë të dhëna për një çështje që ka patur prej vitesh. Kjo çështje, në fakt rezulton një problem pronësie, bëhet fjalë për një truall, mbi të cilin janë ndërtuar kullat te diga e Liqenit, të kompanisë Gener 2 të Bashkim Ulaj.

Kompania ndërtuese ka patur probleme me pronarët e tokës.  Këta kanë bërë një marrëveshje, kanë rënë dakord me studion e avokatit, që studio do të merrte përsipër shpenzimet gjyqësore, me kushtin që nëse do të rikthehej toka, studio do të merrte 1/7 e truallit. Pra kjo ishte pagesa për të, pagesë në hyrje.

Avokati e fiton çështjen dhe ju jep çertifikatat gjashtë pronarëve. Njëri prej tyre, zoti Dritan Nano, nuk ka qenë dakord, ka thënë e kemi fituar vetë gjyqin. E kanë thirrur dhe i kanë thënë, kemi kontratë, këta të tjerët e pranojnë. Avokati ka vajtur ka parë edhe apartamentin që i takonte, ky person nuk pranonte. I ka thënë nuk ke për të marrë pjesë. Avokati ka vajtur në gjykatë me kontratën.  Personi në fjalë, ka kontaktuar kolegë të avokatit dhe e ka paralajmëruar, që thojini atij të tërhiqet sepse do ta ketë keq punën. Ai është përballur direkt me avokatin dhe e ka vënë në dijeni që do ta dëmtojë. Shkojnë këta katër persona në emër të Dritanin dhe i bëjnë atë që i bënë. Njëri nga ata ka deklaruar se porosinë e kemi marrë, por Dritan Nano nuk e pranon.

Pasi e kanë marrë, e kanë bërë këtë goditje. Ky është thirrur nga një biznesmen, Arben Reli, që është futur bashkë me avokatin dhe u ka thënë duhet avokat i zoti.

Ajo toka aty është bllokuar njëherë, ishin hapur pilotat dhe u bllokua. Është prona që Erion Veliaj doli në fushatë dhe ka thënë do ta bllokojmë, por pastaj vajti kompania në gjykatë.

Kompania e mori me miratim të Bashkisë. Kur u kap me presh në dorë Bashkia, tha do ta bllokojmë. Çfarë bëri? Ka dalë kryetari i Bashkisë bënte protestë para Gjykatës së Apelit, pse gjykata po ia jep kompanisë. Pasi e fitoi kompania në gjykatë, pronarët e tokës gjetën avokatin, ky u tha keni të drejtë dhe e fitoi. Avokati ka çuar drejtësinë në vend”, tha Hoxha.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button