Telefonata me Putin, Trump: Rusia dhe Ukraina do të nisin negociatat për armëpushim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka reaguar pas bisedës telefonike që realizoj me homologun rus, Vladimir Putin.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Truth’, Trump u shpreh optimist se Rusia dhe Ukraina do të “fillojnë menjëherë negociatat drejt një armëpushimi.
Gjithashtu presidenti amerikan ka nënvizuar se edhe Vatikani ka shprehur interes për të pritur negociatat.
Postimi i plotë i presidentit amerikan:
Sapo përfundova telefonatën time dy-orëshe me Presidentin rus Vladimir Putin. Besoj se shkoi shumë mirë.
Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat për të arritur një armëpushim dhe, më e rëndësishmja, për t’i dhënë fund luftës. Kushtet për këtë do të negociohen midis dy palëve – e vetmja mënyrë që mund të bëhet – sepse ato i dinë detajet e një negociate që askush tjetër nuk do t’i dinte.
Toni dhe fryma e bisedës ishin të shkëlqyera. Nëse nuk do të ishte kështu, do ta thoja tani, në vend që të thoja më vonë.
Rusia dëshiron të bëjë TREGTI në shkallë të gjerë me Shtetet e Bashkuara kur të mbarojë kjo “gjakderdhje” katastrofike – pajtohem me këtë. Ekziston një mundësi e jashtëzakonshme për Rusinë për të krijuar sasi të mëdha vendesh pune dhe pasurie. Mundësitë e saj janë të PAKUFIZUARA.
Në mënyrë të ngjashme, Ukraina mund të jetë një përfituese e madhe e tregtisë në procesin e rindërtimit të vendit të saj.
Negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës do të fillojnë menjëherë. E informova Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidentin francez Emmanuel Macron, Kryeministren italiane Giorgia Meloni, Kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Presidentin finlandez Alexander Stubb për këtë gjatë një bisede telefonike me mua, menjëherë pas bisedës me Presidentin Putin.
Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, tha se do të ishte shumë i interesuar të priste negociatat.
Le të fillojë procesi!