Tatimet “zbresin” në ndërtim, nga tetori nis plani i madh i kontrolleve! Në fokus, kleringu, risqet fiskale apo borxhet

Administrata Tatimore do të nisë nga tetori 2025 një Plan Operacional të dedikuar për sektorin e ndërtimit, me qëllim intensifikimin e kontrolleve dhe monitorimin e praktikave financiare në këtë sektor, përfshirë edhe përdorimin e kleringut.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve mësohet se Plani Operacional, që pritet të fillojë në tetor 2025, do të zbatohet pas një faze informimi prej rreth 30 ditësh dhe do të përqendrohet në adresimin e risqeve fiskale specifike të sektorit të ndërtimit.
Administrata Tatimore do të bëjë publike objektivat dhe qasjen e këtij plani përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
Plani operacional për sektorin e ndërtimit do të nisë pas përfundimit të kontrollit për sektorin e turizmit.
Sipas dokumentit të publikuar nga Tatimet, Plani Operacional në sektorin e turizmit synoi rritjen e të ardhurave dhe formalizimin e sektorit, përmes disa objektivave kyçe, si:
Rritje e TVSH-së së paguar në sektorin e turizmit, me normë tatimore 6% ku objektivi është 20% rritje e të ardhurave nga sektori i turizmit. Rritje në numrin e tatimpaguesve deklarues TVSH në turizëm (Akomodim, Bar-restorante) që kanë normë standarde TVSH-je ku objektivi është 10%. Monitorimi i pagesave me qëllim parandalimin e krijimit të borxhit të ri tatimor, përfshirë detyrimet për TVSH dhe tatimet e tjera të lidhura me aktivitetin ekonomik. Formalizimi i sektorit të turizmit, përmes reduktimit të numrit të subjekteve të paregjistruara apo të regjistruara dhe janë pasivë që ushtrojnë aktivitet ekonomik në mënyrë të parregullt; Formalizimi i aktivitetit të stacioneve të plazhit (çadra, shezllone, etj.) pa kontratë të lidhur me autoritetet përkatëse etj.
Monitorimi u krye me bazë risku nëpërmjet analizave të statusit të tatimpaguesve, analiza e tatimpaguesve me sjellje devijonte, si p.sh me dorëzimin e deklaratave me vlerë zero, rënie e theksuar e xhiros krahasuar me periudhën e mëparshme, përsëritje e vonesave për shlyerjen e detyrimeve etj. Analiza e riskut përfshinte edhe krahasimin e xhirove dhe krahasimin e numrit të punonjësve të deklaruar deri në 2 vitet e fundit.
Po ashtu tatimet miratuan në muajin qershor nivelet e pagave referuese për profesion në sektorin turizëm, me qëllim identifikimin e tatimpaguesve me risk.