Aktualitet dhe Lajme

Takuan në qeli shefin e Rrugores/ SPAK merr në pyetje 4 zyrtarët e Policisë, u kalon në “sitë” telefonat

Share

Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka marrë dëshminë e katër zyrtarëve të Policisë, të cilët zhvilluan takime me shefin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës Roven Zeka, teksa ai mbahej nën arrest në ambientet e Bllokut të Sigurisë.

News 24 raporton se; pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë, përmes të cilave u verifikuan hyrje-daljet e zyrtarëve në Bllokun e Sigurisë, hetuesit e BKH-së i thirrën për t’i marrë në pyetje lidhur me arsyet e vizitës në qeli të kolegut të tyre. Bëhet fjalë për një drejtor dhe tre shefa komisariatesh.

Ndërkohë mësohet se të paktën 3 prej tyre iu janë sekuestruar celularët dhe po zbërthehen nga ana e ekspertëve për të parë komunikimet që mund të hedhin dritë mbi rastin.

Prokuroria po i heton zyrtarët nën dyshimet për shpërdorim detyre, pasi nuk lejohet që të kryejnë takime me persona nën hetim.

Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka sa sekuestruar celularin e ish-deputetit të PD-së, biznesmenit Ndriçim Babasi.

Dyshohet se sipërmarrësi ka ndërmjetësuar dhe vendosur lidhjen mes Roven Zekës, si edhe biznesmenit tjetër që dyshohet se ofroi ryshfet që gruaja e tij, e përfshirë në aksident rrugor me 5 të plagosur, të mos arrestohej.

Kujtojmë se më 19 Prill, me urdhër të SPAK u arrestuan shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, shefi i aksidenteve Sokol Novaku, si dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku.

Ata u vunë në pranga nën akuzën për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Tabaku, Zeka dhe Novaku, dyshohet se kanë marrë ryshfet në lidhje me një aksident të regjistruar më 16 Prill në Tiranë, ku automjeti që drejtohej nga shtetasja Anisa Vrioni është përplasur me një automjet tjetër ku udhëtonin 5 persona, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital.

Rasti u zbulua pasi bashkëshorti i Anisës, Ergest Vrioni është nën hetim dhe përgjim nga SPAK për korrupsion.

Nga përgjimet ka rezultuar se punonjës të Policisë Rrugore, i kanë kërkuar familjarëve të shoferes Anisa Vrioni, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.

SPAK raportoi se shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga biznemsni Ergest Vrioni, me ndihmën e personave të tjerë dhe i është dorëzuar njërit prej efektivëve të Rrugores.

Fillimisht mësohet se një mijë euro i janë dhënë OPGJ-së Edison Tabaku, pranë banesës së tij. Më pas, vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të Policisë Rrugore dhe i ka kërkuar edhe një mijë euro të tjera, pasi i thotë “kam persona të tjerë mbi kokë”.

Nga verifikimi që i është bërë telefonit të Tabakut ka rezultuar se ai ka komunikime me shefat e tij, Roven Zeka dhe Sokol Novaku, ku i thotë se 1000 eurot e tjera do t’i siguronte më vonë nga Vrioni, të cilin e kishte shok, duke i lënë afat deri të nesërmen.

Në datën 16 prill 2025, në qytetin e Tiranës ka ndodhur një aksident rrugor, ku dy automjete janë përplasur me njëri tjetrin.

Si pasojë e aksidentit, pesë personat që udhëtonin në njërin nga automjetet janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, (parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.)

Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj. Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë. Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit”, – njoftoi SPAK

Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë kontrollit në banesën e Edison Tabakut, oficerët e BKH-së kanë sekuestruar rreth 50 milionë lekë (25 milionë lekë të vjetra dhe 26 mijë euro).

Shuma e parave të sekuestruara u konfirmua edhe nga SPAK, edhe pse nuk u tha se në cilën banesë ishin gjetur.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button