
Autoritetet amerikane e kanë klasifikuar si akt terrorist sulmin e armatosur që ndodhi në një universitet në shtetin e Virxhinias, ku mbeti i vrarë një person dhe dy të tjerë u plagosën.
Sipas FBI, sulmi ndodhi në një sallë të programit të trajnimit për oficerë rezervë (ROTC) në Old Dominion University, në qytetin Norfolk të Virginia. Autori i armatosur hyri në klasë dhe hapi zjarr.
Viktima është identifikuar si nënkoloneli Brandon Shah, instruktor ushtarak që jepte mësim në universitet.
Guvernatorja e Virxhinias, Abigail Spanberger, reagoi përmes një deklarate duke theksuar se Shah ishte një instruktor i përkushtuar.
“Nënkoloneli Brandon Shah u vra sot në një klasë të Universitetit Old Dominion ku jepte mësim. Si instruktor i përkushtuar i ROTC, ai ia kushtoi jetën shërbimit ndaj vendit dhe frymëzoi të tjerët të ndiqnin këtë rrugë”, deklaroi ajo.
Studenti neutralizuan autorin
Sipas zyrtares së FBI-së, Dominique Evans, autori u neutralizua nga studentë të programit ROTC që ndodheshin në sallë.
“Në atë klasë kishte studentë që e vunë nën kontroll dhe e vranë. Nuk e di si ta them ndryshe – ata arritën të neutralizonin kërcënimin”, tha Evans, duke shtuar se autori nuk u qëllua me armë zjarri, pa dhënë më shumë detaje për mënyrën si vdiq.
Para se të hapte zjarr, sulmuesi thuhet se bërtiti “Allahu Akbar” (“Zoti është më i madhi”).
Autori kishte precedentë për lidhje me ISIS
Autoritetet identifikuan si autor 36-vjeçarin Mohamed Bailor Jalloh, ish-anëtar i Gardës Kombëtare të Virxhinias. Ai ishte deklaruar fajtor në vitin 2016 për tentativë mbështetjeje ndaj Islamic State dhe ishte dënuar me 11 vite burg. Jalloh u lirua nga burgu në vitin 2024.
Sipas FBI-së, sulmuesi synonte të imitonte sulmin e vitit 2009 në bazën ushtarake Fort Hood në Texas, ku psikiatri ushtarak Nidal Hasan vrau 13 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Megjithatë, autoritetet thanë se nuk ka prova që sulmuesi të ketë përmendur luftën në Iran para se të hapte zjarr.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, konfirmoi bilancin e viktimave: një i vdekur dhe dy të plagosur, duke theksuar se ndërhyrja e studentëve dhe reagimi i shpejtë i forcave të rendit “pa dyshim shpëtoi jetë”. Ai shtoi se hetuesit e konsiderojnë ngjarjen një akt terrorist.
starnews.al
