Sulmi ndaj zyrës së delegacionit të BE në Kiev, Von der Leyen: Putin të ulet në tryezën e negociatave! Telefonova Trump dhe Zelenskyn

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, ka bërë me dije në rrjete sociale se pas sulmit masiv në Kiev ku janë prekur edhe zyrat e delegacionit të BE, ka zhvilluar një telefonatë me Presidentin e SHBA, Donald Trump dhe Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ursula von der Leyen shprehet se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duhet të ulet në tryezën e negociatave ndërsa theksoi se duhet të sigurohet paqe e drejtë dhe e qëndrueshme për Ukrainën.
“Sapo fola me Presidentin Volodymyr Zelensky, pastaj me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, pas sulmit masiv ndaj Kievit që goditi edhe zyrat tona në BE.
Putini duhet të ulet në tryezën e negociatave. Ne duhet të sigurojmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën me garanci të forta dhe të besueshme sigurie që do ta transformojnë vendin në një forcë mbrojtëse të paprekshme. Evropa do të luajë rolin e saj të plotë”, shkroi Ursula von der Leyen ndërsa veçoi edhe rëndësinë e instrumentit mbrojtës europian SAFE, i cili do të shërbejë për forcimin e ushtrisë ukrainase.