Stefano Boeri u arrestua për korrupsion/ Si ndikoi arkitekti në betonizimin e Tiranës
Akuzat për korrupsion dhe favorizim në një konkurs arkitekture në Itali kanë kthyer vëmendjen te roli dhe ndikimi i Stefano Boerit në betonizimin e Tiranës.
Prezantuar dhjetë vite më parë si një yll që do t’i jepte kryeqytetit garancitë për zhvillim të qëndrueshëm, ai rezulton ndër arkitektët më të parapëlqyer nga ndërtuesit pranë qeverisë, e cila me lejet për kulla ka tejkaluar vazhdimisht Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV) që vetë Boeri hartoi në vitin 2016.
Të hënën, e përditshmja italiane “Corrriere della Sera” raportoi se Prokuroria e Milanos kishte kërkuar masën arrest shtëpie për Boerin dhe kolegun e tij Cino Zucchi, në kuadër të një hetimi mbi projektin e Bibliotekës Evropiane të Informacionit dhe Kulturës (BEIC).
Ata dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me konkursin vendor të mbajtur më 5 korrik 2022 për ndërtimin e BEIC. Boeri ka mohuar akuzat dhe është shprehur i gatshëm për t’u përballur me këtë çështje në gjykatë.
Në Shqipëri Boeri njihet si hartues i planit urbanistik të Tiranës dhe si një ndër emrat më të lakuar nga qeveria dhe Bashkia Tiranë për “projekte moderne”.
Në fillim të vitit 2016 një grup qytetarësh të angazhuar protestuan kundër një projekti të Bashkisë Tiranë në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial.
Bashkia zotohej të ndërtonte aty një kënd lojërash për fëmijë, por shoqëria civile ngrinte shqetësimin se projekti po zbatohej pa leje mjedisi dhe do t’i hapte rrugë tjetërsimit të mëtejshëm me ndërtime të të vetmit park të kryeqytetit.
Nën këtë dinamikë, qeveria dhe Bashkia Tiranë paraqitën si fitues për hartimin e PPV-së së kryeqytetit, Stefano Boerin, një profesor italian i planifikimit urban në Universitetin Politeknik të Milanos dhe themelues i studios “Stefano Boeri Architetti”.
Ai u prezantua si arkitekt i njohur me qasje novatore në integrimin e gjelbërimit dhe biodiversitetit në arkitekturë duke promovuar një vizion për qytet me zhvillim të qëndrueshëm dhe ekologjik.
Koncepti i Boerit për një pyll që do të rrethonte kryeqytetin si “përgjigje ambientaliste ndaj ndotjes,” – pagëzuar si “Pylli Orbital,” – do të kthehej në simbolikën e PPV-së “Tirana 2030”, të cilin Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, me fushatat e shpeshta të mbjelljeve do ta propagandonte si përgjigje ndaj akuzave për favorizim të ndërtimeve dhe kullave.
Boeri njihej për projekte si “Pylli Vertikal” – dy kulla me gjelbërim në fasadë dhe tarracë ndërtuar në Milano, 2014, – apo “Vila Mesdhetare” në Marsejë dhe “Shtëpia e Detit” në La Maddalena, ndërtuar në vitet 2009 dhe 2013.
Por pikërisht profesori i urbanistikës, promovues i idesë së zhvillimit ekologjik të Tiranës, do të bëhej një ndër shkelësit e PPV-së që vetë ai hartoi. Zyra e tij rezulton fituese e disa projekteve për ndërtime në kryeqytet duke ngjallur dyshime për favorizim apo konflikt interesi, dyshime të cilat në asnjë moment nuk janë marrë në konsideratë për t’u hetuar nga autoritetet shqiptare.
Tirana e vërtetë përtej planit të Boerit
Citizens, përmes serisë së hulumtimeve “Tirana 2031”, ka zbërthyer të gjitha dritëhijet e PPV-së së hartuar nga Boeri në vitin 2016.
Në thelb plani “Tirana 2030” synonte “një metropol modern dhe të qëndrueshëm, që përqafon arkitekturën ekologjike, lëvizjen e gjelbër, biodiversitetin, energjinë e përtëritshme, trashëgiminë kulturore, industrinë krijuese, transparencën, gjithëpërfshirjen, rishpërndarjen e burimeve dhe shërbime të pandërprera”.
Por, sikurse ka shqyrtuar Citizens, në realitet idetë e Boerit sillnin efekte të kundërta.
1- Plani për Unazën e Gjelbër: Thellon trafikun
Disa rrugë kufizohen nga qarkullimi i automjeteve me qëllim ndërtimin e një unaze të gjelbër. Aktualisht, Bashkia e Tiranës ka gati projektin për një nga segmentet e saj, por ekspertët thonë se ky projekt do të rëndojë edhe më tej qarkullimin, duke kufizuar dhe mundësitë për parkim.
2- Projekti 5 Majit: Shkaktoi pasoja të larta sociale
Studioja e Boerit dhe grupi SON përfituan pa garë të drejtën e konceptimit të projektit “Tirana Riverside”, i cili iu mbivendos si plan i detyrueshëm zhvillimi zonës së “5 Majit” duke prodhuar qindra “të pastrehë të rinj të periferisë”.
3- Vizioni i së gjelbrës: I paqartë
PPV i Boerit nuk përcakton qartë përmasat dhe krijimin e sipërfaqeve të gjelbra, duke i përfshirë ato vetëm si pjesë të hapësirave publike, çka në praktikë i la rrugë spekulimeve dhe mbivendosjeve. PPV-ja njeh përqindjen e hapësirës publike, por nuk specifikon raportin mes elementëve përbërës si trotuaret, parqet apo shtigjet.
4- Monumentet e kulturës: U zunë nga kullat
Një ndër pikat qendrore të PPV-së së Boerit ishte ruajtja e trashëgimisë kulturore. Por sot kryeqyteti ka 36 monumente kulture më pak, të cilat ia lanë vendin ndërtimeve të reja.
5- Pylli Orbital: Të paktën 200 vite larg
Boeri parashikonte ngritjen e “një kufiri hijebërës” prej 2 milionë pemësh frutore e parqesh rreth Tiranës, të cilat do të shërbenin për të kufizuar ndërtimet dhe konsumin e tokës. Por një hulumtin i Citizens i vitit 2023, nxori në pah se me ritmet që kishte ecur projekti, Pylli Orbital ishte 200 vite larg, ndërsa zyrtarisht, prej nisjes së projektit e deri më sot janë mbjellë të paktën 60 mijë pemë.
Nga hartues i PPV-së në përfitues projektesh ndërtimi
Emri i Boerit nuk shfaqet vetëm tek “Tirana 2030,” por edhe në investime publike si projektet për “Sitin arkeologjik të Durrësit” apo “Shkollat e Hapura”.
Paralelisht ai shfaqet edhe në ndërtime kullash, duke u bërë një nga përfituesit kryesorë të projekteve të sipërmarrësve pranë qeverisë.
Përfshirja e Boerit në këto projekte pa procedura të hapura konkurruese kanë ngritur gjithmonë shqetësime për mungesë transparence dhe dyshime për favorizim.
Disa nga projektet që janë ndërtuar ose janë në ndërtim nga studio e Stefano Boerit:
1- Vertical Forest
Kullë në rrugën “Dervish Hima” e konceptuar si projekti i ngjashëm i Milanos me ballkone dhe tarracë të gjelbëruar.
2- Blloku West Residences
Pallat 9-katësh prapa Presidencës në zemër të Bllokut. Arkitektura moderne ku mbizotëron betoni dhe vetrata dallon nga stili i pallateve të ndërtuara gjatë diktaturës.
3- Blloku Cube
Ndërtesë 7-katëshe në përmasat e një kubi gjigand, konceptuar me një stil modern me fasadë të ndërthurur me kube dhe trekëndësha ngjyrë të artë, të cilat dallojnë nga zona e ish-rezidencës së diktatorit Hoxha. /Citizens.al