Aktualitet dhe Lajme

Sot seancë plenare/ PS dhe PD mobilizojnë deputetët për “betejat” e fundit, çfarë pritet të ndodhë

Share

Ditën e sotme, pas një pauze dy mujore për shkak të fushatës zgjedhore dhe më pas edhe zgjedhjeve të 11 majit dhe ditët që pasuan me numërimin e vullnetit të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, Kuvendi i Shqipërisë do t’i rikthehet jetës parlamentare.

Seanca plenare është parashikuar të zhvillohet në orën 12:00 dhe do të shënojë fillimin e një faze pesë javore pune, përpara se kjo legjislaturë të mbyllet përfundimisht në korrik.

Për këtë rikthim në sallën e Kuvendit, drejtuesit e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, kanë shpërndarë mesazhe mobilizuese për deputetët e tyre ditën e djeshme.

Gazment Bardhi, drejtuesi i grupit të PD, ka theksuar se opozita do të fokusohet në denoncimin e parregullsive zgjedhore:

“Nesër ora 12:00 është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrim pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 Majit. Ju përshëndes!”, shkruan Bardhi.

Ndërsa Niko Peleshi, kryetar i grupit të PS-së, u ka kërkuar deputetëve të jenë të pranishëm në mbledhjen e grupit që do të zhvillohet paraprakisht në orën 11:30.

“Përshëndetje kolegë! Siç jeni vënë në dijeni, nesër, e Enjte, datë 29 Maj, ora 12:00 zhvillohet seanca plenare e radhës. Paraprakisht, në 11:30 do të zhvillojmë mbledhjen e Grupit Parlamentar, po aty, në Sallën e Seancave Plenare. Diskutojmë mbarëvajtjen e veprimtarisë parlamentare në komisione dhe seanca përgjatë javëve në vazhdim. Pjesëmarrja është e domosdoshme. Faleminderit”, thuhet në mesazh.

Më parë, në 10:00 mblidhet Konferenca e Kryetarëve ku pritet të diskutohet projekt kalendari i punimeve të Kuvendit.

Nëse nuk gjendet dakordësia, atëherë projekt kalendari dhe projekt programi kalojnë për votim në seancë.

Në Kushtetutë nuk lejohet miratimi i ligjeve 60 ditë nga mbarimi i legjislaturës aktuale, si dhe 60 ditë përpara mbledhjes së legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Që nga 8 korriku Kuvendi nuk duhet të mblidhet më, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button