Aktualitet dhe Lajme

Sot, afati i fundit që bizneset të lirojnë hapësirat përgjatë akseve kombëtare, qeveria paralajmëron ndëshkim për ata që refuzojnë

Share

Sot, 31 Korrik, është afati i fundit që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka lënë bizneseve për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme përgjatë akseve kombëtare.

Pas këtij afati parashikohen ndëshkime për të gjitha subjektet të cilat kanë refuzuar zbatimin e këtij vendimi.

Një ditë më parë, zv. kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga Kryeinspektorja e IKMT, Dallëndyshe Bici dhe drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli ishin në aksin rrugor Kamëz-Laç, ku inspektuan ecurinë e aksionit, duke përsëritur edhe një herë thirrjen drejtuar bizneseve që të tregohen bashkëpunues në këtë nismë.

Balluku paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerim për asnjë subjekt duke theksuar se siguria rrugore mbetet një prioritet i vazhdueshëm.

“Kemi informuar një javë më parë, i kemi bërë thirrje të gjithë bizneseve dhe subjekteve që ndodhen në zonat e akseve kombëtare për të marrë masa dhe për të liruar hapësirat, duke qenë se janë shkelur në shumë raste, sidomos në rastin e varrezave të automjeteve, aty ku rrinë automjete të cilat tregtohen për pjesë këmbimi apo edhe për arsye të tjera që sipas një akti normativ të vitit 2011 duhet të qëndrojë 1 kilometër larg rrugës kombëtare”, tha Balluku.

Edhe kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për lirimin vullnetar të hapësirave, duke theksuar se pas datës 31 korrik, çdo shkelje do të pasohet me penalizime.

“31 Korriku afati i fundit për lirimin vullnetarisht të hapësira nga subjektet e vendosura pranë akseve kombëtare të cilat janë kthyer në rrezik për sigurinë rrugore. Penalizime për të gjithë ata që refuzojnë të zhvendosen”, u shpreh Rama.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button