“S’mund të presim që një LaCivita të na zgjidhë hallet”, Beleri: Protesta e PD nuk ka vlerë! Edhe Shën Kozmai do të humbte përballë Ramës

“Ne si minoritarë dhe ortodoksë kemi Shën Kozmanë, tek i cili besojmë shumë. Ne themi se edhe Shën Kozmai të ishte përballë regjimit të zotit Rama do humbiste.”.
Një deklaratë e tillë u bë nga eurodeputeti Fredi Beleri duke komentuar rezultatin e opozitës në zgjedhjet e 11 majit. Ai shtoi se arsyet kryesore janë të rezultatit të zgjedhjeve janë ato që thotë OSBE-ODHIR, ndërhyrja e shtetit në zgjedhje, shit-blerje masive votash. Beleri tha se opozita duhet të shikojë nga vetja dhe të mundohet të sensibilizojë faktorin ndërkombëtar për regjimin, duke u shprehur se nuk ka diskutim që zgjedhjet janë vjedhur.
“Këto janë standarde që nuk mund të pranohen në një shtet europian. Nuk mund të ndodhin që njerëz që dalin për herë të parë në skenën politike, të kenë kaluar ish-ministra dhe ministra me rëndësi me vota. Këtu ka një dorë, një arsye tjetër është se në Shqipëri administrata është rreth 180 mijë njerëz. Kur ndodh ndërhyrja e shtetit, nuk ka demokraci. Si ka mundësi ku në një shtet në dhjetë vitet e fundit mungojnë 1 milion njerëz dhe janë të gjithë të kënaqur?
Pse këta njerëz që votojnë të dielën, të hënën dalin nëpër ekrane dhe thonë se nuk bëhet më dhe nga ky vend duhet ikur. Ku ndodh që të burgosurit në masën 80% votojnë qeverinë, në të gjithë botën të burgosurit ndëshkojnë qeverinë? Këtu nuk ka zgjedhje të lira!
Minoritarët nuk erdhën të votojnë se nuk kanë besim. Mënyra për të luftuar regjimin janë zgjedhjet. Çfarë kuptimi ka një tubim pas zgjedhjeve? Zgjedhjet janë festa e demokracisë. Policia nuk ka të drejtë të thotë jo për protestën. Dua t’iu them qytetarëve se protesta dhe vullneti politik duhet të shprehet ditën e zgjedhjeve. Duhet që populli shqiptar me këtë zgjedhje që bëri të vuajë dhe pasojat. Për mua nuk ka asnjë vlerë asnjë tubim dhe demonstratë një javë pas zgjedhjeve, edhe pse zgjedhjet janë vjedhur. Unë jam i PBDNJ, nuk mund ti japë leksione PD.
Opozita më e madhe duhet të shikojë nga vetja dhe të mundohet të sensibilizojë faktorin ndërkombëtar për këtë regjim. Nuk ka diskutim që zgjedhjet janë vjedhur, kjo dihej më parë. Duhet të bindim qytetarët se nuk duhet të presim nga La Civita, nga ndonjë gjerman apo grek të zgjidhë hallet tona.
Çdo shtet ka interesat e veta në Shqipëri. Për mua opozitarët nuk kanë justifikim. Pse partitë e vogla që nuk kanë asnjë konsumim, edhe zoti Shehaj edhe zoti Lapaj, pse qytetarët shqiptarë nuk përqafuan këto parti? Është varë opozitarizmi. Ky regjim po vret demokracinë. Duhet reagim dhe nga ne në radhë të parë dhe nga populli. Kam informacionet e mia se në Greqi, patronazhistët, administrata publike ishin 2-3 muaj para dhe bënin regjistrime masive. Nëse në një shtëpi ku jetonin 2-3 veta, janë çuar 15 zarfe, procedura nuk ka qenë në rregull. Administrata shqiptare u shpërngul në Greqi. Për mua vota e diasporës ka problematika, por nuk janë ndjekur procedurat që thotë KQZ dhe procedura ndërkombëtare.”, tha ai.