Situata e zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes: Nga 24 vatra zjarri, 6 janë ende aktive

TIRANË- Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 6 vatra janë ende aktive.
Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Delvinës, Selenicës, Vlorës, Tiranës, Vorës, Krujës, Hasit, Matit, Malësisë së Madhe, Kurbinit, Korçës, Poliçanit dhe Gjirokastrës.
Aktualisht mbeten aktive vatrat: Në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës.
Gjatë ditës së djeshme u punua kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit.
Forcat operacionale do të vijojnë punën për shuarjen përfundimtare edhe gjatë ditës së sotme.
Në zonën midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja, dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq.
Sot situata paraqitet më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë. Vatra po monitorohet në distancë nga 2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.
Në vendin e quajtur “Sotiran”, ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, është raportuar vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra.