Situata e motit në vend, breshëri dëmton mijëra pemë frutore dhe vreshta në fshatrat e Librazhdit

Pasditen e djeshme, një pjesë e madhe e fshatrave të Njësisë Administrative Polis në bashkinë e Librazhdit, u përfshinë nga moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura dhe stuhi, e cila u pasua me rënie breshëri për rreth 30 minuta në fshatin Gurëshpatë dhe rrethinat e tij.
Si pasojë e rënies së breshrit, u shkatërruan pemëtaria dhe vreshtat e kësaj zone, të cilat ishin në fazën e lulëzimit të plotë.
Paraprakisht, sipas burimeve zyrtare dëmet e shkaktuara nga stuhia e breshërit janë mjaft të mëdha dhe për këtë vit moti i keq, ka shkatërruar plotësisht prodhimin e pritshëm të pemëve frutore dhe vreshtave në këtë rajon.
Stuhia e breshërit që përfshiu një pjesë të fshatrave të Njësisë Administrative Polis të bashkisë së Librazhdit nga ora 17:00-17:30, rezultoi fatale për pemëtarinë dhe vreshtarinë e kësaj zone për këtë vit.
Nga pasojat e stuhisë janë prekur disa qindra familje fermerësh të kësaj zone, mes të cilave janë edhe disa dhjetëra që kanë investuar së tepërmi në krijimin e plantacioneve me pemë frutore.