Aktualitet dhe Lajme

Si u mashtruan 23 gratë në Lezhë nga 33-vjeçarja, ua merrte kartat e identitetit dhe i futi “borxh” te IUTE Credit! Kompania “heq barrën nga supet”

Share

Skema e grabitjes së qytetarëve përmes mikrokredive është një temë të cilët Newsbomb.al i ka dhënë hapësirë qysh prej fillimi dhe ka qenë ndër të parët që e ka denoncuar se si po “boshatiseshin” xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Madje, kjo skemë zhvatjeje fatkeqësisht i mori jetën edhe Pal Trashajt, 63-vjeçarit nga Lezha, i cili prej vitesh kërkonte drejtësi pasi kjo skemë grabitjeje me mikrokreditë i kishte marrë gjithçka që kishte. Ndonëse ai “zvarritej” nëpër dyert e gjykatave, nuk e gjeti askund zgjidhjen, ashtu i pashpresë konsumoi fostoksinë në dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me shpresën se dikush do “t’i hidhte sytë” nga problemi i tij.

E teksa hetimet për këtë skemë kriminale vijojnë ende, një tjetër skemë e madhe mashtrimi me kreditë është njoftuar këtë të enjte nga Policia e Lezhës.

Përmes një njoftimi zyrtar, blutë bënë me dije se prangosën 33-vjeçaren Donika Curri, e cila akuzohet se kishte mashtruar një numër të madh grash të zonës, duke u marrë atyre kartat e kreditit dhe më pas kishte aplikuar për kredi në shuma nga 3 deri në 5 mijë euro.

“Iu merrte foto të kartës së identitetit, shtetaseve, duke i mashtruar se ishte përfaqësuese e një shoqate bamirësie, dhe me të dhënat e tyre merrte kredi, vihet në pranga 33-vjeçarja. Arrestimi i saj, rezultat i administrimit të shpejtë të 16 kallëzimeve për këtë skemë mashtrimi. Sekuestrohen dokumente bankare.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, si rezultat i administrimit të kallëzimit të disa shtetaseve, për një shtetase që iu kishte marrë të dhënat personale, nëpërmjet mashtrimit, duke u prezantuar si përfaqësuese e një shoqate bamirësie, finalizuan operacionin policor të koduar “Kredia”. Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasja D. C., 33 vjeçe, banuese në Tiranë”, njoftoi Policia.

Ndërkohë, së fundmi Skyëeb.al raporton se janë të paktën 23 gra nga fshati Zejmen të cilat kanë rënë në “grepin” e 33-vjeçares.

Ato janë mashtruar dhe me kartat e tyre të identitetit është marrë kredi në IUTE Credit, në emër të tyre pa qenë ato prezentë.

Mos prezenca e këtyre shtetaseve ka ngritur një sërë pikëpyetjesh lidhur me procedurat e ndjekura për aplikimin për kredi, gjë e cila risjell në vëmendje mungesën e kontrollit për kryerjen e procedurave të tilla.

E teksa policia është duke punuar me qëllim verifikimin për të parë nëse janë tërhequr kredi edhe nga institucione të tjera mikrokredie përveç IUTE Credit, blutë njoftuan më herët se Curri u merrte kartat e identitetit zonjave dhe më pas kryente aplikimet.

Ajo u prezantohej si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur, duke u kërkuar viktimave fotokopje të kartës së identitetit me premtimin e ndihmës mujore. Shumat që ka përvetësuar kanë qenë deri në 5 mijë euro.

Më pas, ajo përdorte këto të dhëna për të përfituar kredi në institucione financiare. Operacioni erdhi pas 16 kallëzimeve nga qytetare të prekur nga skema e mashtrimit. Gjatë kontrollit u sekuestruan dokumente bankare që tregojnë transfertat e parave të përfituara, të derdhura në një llogari të administruar nga e dyshuara.

Ndërkohë mësohet se aplikimet për kredi janë bërë përmes aplikacionit të IUTE Credit, teksa dyshohet se në këtë skemë kriminale të 33-vjeçares të jenë përfshirë dhe punonjës të kompanisë. Lidhur me këto dyshime policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të tyre.

Nga ana tjetër vetë kompania në fjalë ka hequr “barrën nga shpatullat”. Për Skyweb, IUTE Credit ka pohuar se nuk ishin në dijeni të kësaj skeme.

“Iute Albania është viktima finale e këtij kalvari gënjeshtrash dhe keqpërdorimi besimi që personi i identifikuar në media, ka kryer. Menjëherë sapo jemi informuar nga qytetarët, skuadrat tona ligjore kanë kallëzuar penalisht rastin dhe janë pezulluar kreditë e klientëve deri në një vendim final të hetimeve policore. Këtu gjejmë rastin të shprehim mirënjohjen tonë për strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë vepruar në kohë të shpejtë dhe vendimtare“, tha IUTE Albania për Skyëeb.al.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button