Shteti fizik dhe virtual ikin me pushime, por penalizon bizneset, Diella as punon, as përgjigjet

Share

Është bërë e zakonshme që sa herë ka ndonjë ditë feste që bie afër fundit apo fillimit të javës edhe dita më e afërt bëhet me vendim qeverie pushim zyrtar. Por, vendimi është i vlefshëm vetëm për administratën publike.

Bizneset, shpesh nuk e kanë luksin që të pushojnë kaq gjatë, pasi në fund të fundit nuk i kanë të ardhurat e garantuara për pagat e punonjësve, si administrata publike që i merr nga taksapaguesit.

Me 25 dhjetorin e Krishtlindjeve, që ishte e enjte, edhe e premtja ishte pushim për administratën, duke i bërë katër ditë radhazi, përfshirë dhe fundavën.

Teorikisht kjo nuk duhet të pengonte aktivitetin e bizneseve, meqë tashmë pothuajse çdo veprim kryhet online dhe madje edhe Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, me emrin “Diella”, vepron në formë virtuale.

Praktikisht bizneset janë bllokuar prej ditësh pasi sistemi online më shumë nuk punon sesa punon, ose funksionon me shumë vështirësi.

Bizneset raportuan për “Monitor” se gjatë ditës së premte nuk po funksionojnë sistemet bazë operative të punës dhe situata është e njëjtë edhe përgjatë të shtunës. Me shtetin fizik që është mbyllur, atë online që ka rënë, dhe ministren “Diella”, që nuk të jep përgjigje, pasi nuk hyn dot në sistem, sipërmarrjet po penalizohen dhe po u pengohet aktiviteti, teksa nuk kanë ku të ankohen.

Prej ditësh, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) nuk bëhen dot aplikime për regjistrim të shoqërive të reja, ose ndryshime (shitje kuotash, kapitali), në sistemin “self care” përmes të cilat nxirren faturat, është e pamundur të hysh. Po ashtu nuk aplikohet dot për barrë lindje, apo për të shtuar punonjësit e rinj, pasi faqja rrotullohet bosh ose duhet të presësh një kohë të gjatë.

Edhe për individin, nëse do të shkarkojë një certifikatë, është e pamundur, pasi kodi që të mundëson të hysh në llogari, nuk vjen fare.

Ndërkohë sistemi i tatimeve (E-tax) punon normalisht, por sistemet e tjera, ku ndërlidhja bëhet përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpesh nuk janë funksionale, ose punojnë me shumë vështirësi.

Sipas bizneseve, kjo situatë që po zgjat prej ditësh, përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien e bizneseve me administratën publike apo e profesionistëve me klientët e tyre.

Shqipëria mund të jetë një vend unik, ku bizneset i “luten” qeverisë që ti lërë të punojnë! Monitor


Start News

Reklama
Back to top button