Aktualitet dhe Lajme

Shqipëria voton/ Qytetarët zgjedhin deputetët që do t’i përfaqësojnë në Kuvend

Share

Pas një muaj shumë intensiv me fushatën elektorale dhe 24 orë heshtje zgjedhore, qytetarët shqiptarë u drejtohen sot qendrave të votimi për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë, ndërsa 2.046 kandidatë garojnë për 140 vende në Parlament.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, për të vijuar më tej me procesin e numërimit të votave.

Të drejtën e votës të dielën e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit. 245 935 shqiptarë në diasporë u regjistruan për të votuar.

114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë këtë të dielë. Ndërkohë që 1,081 personave ju është hequr e drejta e votës, për shkak të dekriminalizimit, që nuk lejon të votojnë persona që kanë kryer një sërë krimesh të rënda.

Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.

Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur. Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.

Kush janë 11 subjekte apo koalicionet politike?

Koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore i drejtuar nga Sali Berisha

Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori

Lëvizja Atdheu e drejtuar nga Kreshnik Osmani

Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Endri Hasa

Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e drejtuar nga Adriatik Lapaj

Aleanca Kombëtare Shqiptare e drejtuar nga Elena Kocaqi

Aleanca Demokracia e Re e drejtuar nga Edmond Stojku

Koalicioni Djathtas për Zhvillim i drejtuar nga Dashamir Shehi

Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj

Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi

Ora 07:00- Nis zyrtarisht afati i procesi i votimit në Shqipëri

Nis zyrtarisht afati i votimit, i cili do të jetë i hapur deri në orën 19:00.

Kodi zgjedhor parashikon që ato të qëndrojnë të hapura edhe përtej orarit vetëm në rastet e fluksit të votuesve. Në të njëjtën orë, do të mbyllet edhe procesi i votimit për Diasporën.

Sakaq, vonesa pritet të ketë në qendrat e votimit në zonat rurale të disa qyteteve, ku kryesisht raportohet për mungesë të materialeve zgjedhore apo dhe të komisionerëve pjesëmarrës.

Çdo zarf që vjen përtej orës 19:00 nuk do të numërohet.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button