Aktualitet dhe Lajme

Shqipëria me agroindustrinë më të pazhvilluar në Rajon, Kosova e para

Share

Shqipëria është konkurruese me Rajonin për prodhimin e hershëm bujqësor, por nga ana tjetër, renditet e fundit sa i përket zhvillimit të agroindustrisë, një sektor që e shumëfishon vlerën e produkteve bujqësore.

Një analizë krahasuese e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal e publikuar kohët e fundit tregoi se kapaciteti i prodhimit të agroindustrisë për banor në Shqipëri ishte 76 USD për frymë në vitin 2022, me një diferencë të madhe me secilën nga 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kosova dhe Serbia udhëheqin Rajonin për zhvillimin e fortë të agroindustrisë. Këto dy vende gjenerojnë mbi 70% më shumë vlerë për banor se mesatarja e Rajonit dhe kanë zhvilluar baza të qëndrueshme të përpunimit të ushqimeve.

Në Kosovë prodhimi agroushqimor për frymë ishte 387 USD në vitin 2022, niveli më i lartë në Rajon, në Serbi ishte 278 dollarë për frymë, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 177 dollarë për frymë, Bosnja me 158 USD, Mali i Zi me 129 USD dhe Shqipëria vetëm me 76 USD.

Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, Shqipëria ka peshën më të ulët të eksporteve agroushqimore. Serbia është e vetmja ekonomi që kryeson Rajonin në këtë fushë si në prodhim dhe eksporte, duke rritur ndjeshëm pozicionin e saj në tregjet globale agro-ushqimore, në anën tjetër Shqipëria ka pjesën më të ulët të eksportit në botë. Vendi ynë gjithashtu bazohet në një gamë të ngushtë produktesh në eksport.

Në vitin 2023, Shqipëria kishte deficit tregtar në artikujt e agro-ushqimit në -1% të PBB-së me përmirësim nga viti 2010 kur deficiti ishte -4%.

Analiza e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal sugjeron rritje të diversifikimit të produkteve dhe tregjeve për Shqipërinë. Gjithashtu një sistem rajonal gjurmueshmërie për sigurinë ushqimore rrit besimin e blerësve europianë.

Investimet në teknologji dhe ekonomia qarkulluese mund të nxisin prodhimin bio, kërkesa e të cilit është në rritje.

Zgjerimi i agro-turizmit me produkte nga ferma te tryeza është një mënyrë efikase për të rritur vlerën e prodhimeve lokale sidomos në Shqipëri.

Sektori i agro-industrisë në vendin tonë po zhvillohej me hapa të shpejte në 6 vitet e fundit, por rënia e euros ka dëmtuar rëndë fabrikat, të cilat janë detyruar të reduktojnë aktivitetin e nga humbet që krijoi kursi i këmbimit. /Monitor.al




Huazuar nga albeu.com

Back to top button