Shqipëria bashkëpronare me Kushner/ Ngrihet shoqëria që do punojë me dhëndrin e Trump për Sazanin

Shqipëria ka ngritur kompaninë që do të përfaqësojë interesat e shtetit si bashkëpronare me dhëndrin e presidentit të SHBA, për ndërtimin e resortit turistik në ishullin e Sazanit.
Projekti i Jared Kushner vlerësohet në rreth 1.4 miliardë euro dhe shtrihet në 45 hektarë.
Shqipëria do të jetë bashkëpronare në rezortin turistik elitar që pritet të ndërtohet në Ishullin e Sazanit nga kompania e dhëndrit të presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Për këtë qëllim në 26 qershor, është regjistruar kompania ALBANIAN STATE DEVELOPMENT & REAL ESTATE, ku pronar është koorporata e investimeve shqiptare.
Në dokument thuhet se qëllimi është “pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit – në partneritete apo investime strategjike si dhe në çdo rast të përcaktuar me vendim të organeve të shoqërisë, lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar të AIC; Zhvillimi i Projekteve Inovative – Të planifikojë, projektojë dhe zbatojë projekte të rëndësishme ndërtimore me standarde të larta të cilësisë dhe qëndrueshmërisë”.
Kapitali i shoqërisë është regjistruar në vlerën e 50 milionë lekë.
Kompania e Kushner e mori statusin e Investitorit Strategjik në 30 dhjetor të vitit 2024.
Investimi pritet të kapë vlerën e 1.4 miliardë eurove në rreth 45 hektarë të ishullit e ku pritet të punësohen mbi një mijë persona.
Vajza e presidentit të SHBA, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, u raportua se kanë qëndruar ditët e fundit në qytetin e Vlorës.
Në deklaratat e dhënë së fundmi ata ka vlerësuar me entuziazëm realizimin e projektit luksoz, ndërsa ka shtuar se me ndërtimin e aeroportit të vlorës zhvillimi i zonës është edhe më i madh.