
Tregu i Shoqërive të Kursim-Kreditit në Shqipëri vijoi të zgjerohet gjatë vitit 2025, me rritje të aktiveve, kredive dhe depozitave. Në këtë sektor dominon institucioni mikrofinanciar FED invest, kooperativa financiare më e madhe në vend.
Sipas të dhënave të Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të sektorit të shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) arriti në 19.4 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro në fund të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë.
Portofoli i kredive të dhëna për anëtarët arriti në 14.3 miliardë lekë, me një rritje 9.2% në bazë vjetore. Ndërkohë, depozitat e anëtarëve u rritën në 12.3 miliardë lekë, ose 6.8% më shumë se në fund të vitit 2024, duke përbërë rreth 63% të detyrimeve totale të sektorit.
Shoqëritë e kursim-kreditit operojnë kryesisht në zonat rurale, duke financuar fermerët dhe bizneset e vogla, si dhe duke zgjeruar aksesin në shërbime financiare në zonat ku prania e bankave është më e kufizuar.
Institucioni më i madh në këtë sektor është FED invest, kooperativa financiare që mban pjesën kryesore të tregut të SHKK-ve në Shqipëri. Institucioni ka një rrjet të gjerë, mbi 54 degë në të gjithë vendin dhe mbi 100 mijë anëtarë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në financimin e ekonomisë rurale dhe agrobizneseve.
Ndërkohë, depozitat në këto institucione janë të siguruara deri në 2 milionë lekë përmes skemës së administruar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, aktualisht nëntë shoqëri kursim-krediti janë pjesë e kësaj skeme.
Start News