Shkuan si turistë dhe grabitën banesa në Spanjë, arrestohen dy shqiptarë
Dy të rinj shqiptarë janë arrestuar nga Garda Civile në Spanjë, të akuzuar për një seri grabitjesh banesash në zonën e Madridit. Sipas autoriteteve, ata kishin hyrë në Spanjë duke u shtirur si turistë gjatë sezonit të festave, ndërsa aktiviteti i tyre kriminal kishte nisur që në fund të tetorit.
Hetimet tregojnë se dy të dyshuarit kishin një strategji të mirëorganizuar, duke përzgjedhur banesat për grabitje në zona si Las Rozas, Galapagar, Alpedrete, Villaviciosa de Odón dhe në Madrid. Ata siguroheshin që shtëpitë ishin bosh dhe hynin përmes dyerve ose dritareve të kateve të sipërme, duke përdorur një makinë me qira për transportin e sendeve të vjedhura.
Objektivat kryesore ishin bizhuteritë, orët dhe paratë e gatshme, të cilat mund të tregtoheshin lehtësisht. Autoritetet zbuluan se ata kryenin 1-2 grabitje në ditë.
Më 16 dhjetor, të rinjtë u kapën në një zonë shërbimi, ndërsa tentonin të largoheshin nga Spanja. Gjatë arrestimit, u sekuestruan sende me vlerë mbi 50,000 euro, përfshirë bizhuteri dhe ora. Edhe pse nuk kishin precedentë penalë në Spanjë, gjykata urdhëroi paraburgimin e tyre.
Operacioni, i koduar “Habitat Boza,” vijon për të zbuluar nëse grabitësit kishin edhe bashkëpunëtorë të tjerë në këtë seri vjedhjesh.