
Departamenti Amerikan i Shtetit ka propozuar ndryshime në procedurat për pajisjen me pasaportë të fëmijëve, duke parashikuar që prindërit ose kujdestarët ligjorë të mund të detyrohen të paraqesin prova për shtetësinë ose statusin e tyre të emigracionit.
Masa është pjesë e përpjekjeve të administratës së Presidentit Donald Trump për të kufizuar zbatimin e së drejtës së shtetësisë amerikane në lindje.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, deklaroi se administrata synon që procesi i pajisjes me pasaporta të jetë në përputhje me politikën e re të qeverisë për shtetësinë amerikane.
“Presidenti Trump ka qenë i qartë se kjo administratë do të mbrojë kuptimin dhe vlerën e shtetësisë amerikane”, u shpreh Pigott.
Çfarë parashikon propozimi?
Sipas draftit të udhëzimeve të Departamentit të Shtetit, prindërit ose kujdestarët ligjorë mund t’u kërkohet të paraqesin dokumente që dëshmojnë shtetësinë ose statusin e tyre të emigracionit gjatë aplikimit për pasaportën e fëmijës.
Si prova të mundshme përmenden pasaporta amerikane, certifikata e lindjes, dokumentet e qëndrimit të përhershëm ose formulari I-94.
Informacioni do të përdorej për të përcaktuar nëse fëmija përmbush kriteret e shtetësisë sipas urdhrave të rinj ekzekutivë të administratës Trump.
Drafti lidhet me urdhrin ekzekutiv EO 14418 dhe parashikon kontrolle shtesë në raste të caktuara. Sipas propozimit, rregullat mund të prekin fëmijët në rastet kur njëri prej prindërve punon për një qeveri të huaj në SHBA, kur pretendohet se shtetësia është kërkuar përmes mashtrimit apo një transaksioni tregtar, ose kur prindi klasifikohet si “armik i huaj”.
Përplasja për shtetësinë në lindje
Kufizimi i shtetësisë në lindje ka qenë një nga çështjet kryesore të politikës së administratës Trump për emigracionin.
Administrata kishte tentuar më herët të kufizonte të drejtën automatike të shtetësisë për fëmijët e lindur në SHBA, por urdhri u përball me sfida të forta ligjore dhe Gjykata Supreme e SHBA-së e konsideroi të paligjshëm urdhrin fillestar.
Urdhri i mëvonshëm i 6 gushtit synoi në mënyrë më specifike të ashtuquajturin “turizëm të lindjes”, ku gra nga vende të tjera udhëtojnë në SHBA për të lindur, me synimin që fëmijët e tyre të marrin shtetësinë amerikane.
Kjo direktivë e re mund të përballet gjithashtu me sfida në gjykata.
Çfarë ndryshon nga procedura aktuale?
Sipas procedurave aktuale të përshkruara në propozim, prindërit e fëmijëve të lindur në SHBA duhet të dëshmojnë lidhjen e tyre me fëmijën dhe të paraqesin një dokument identifikimi me fotografi.
Ata deklarojnë gjithashtu në formular nëse janë shtetas amerikanë, por nuk u kërkohet domosdoshmërisht të paraqesin dokumentacion shtesë për ta provuar këtë.
starnews.al
