Sezoni veror, SHBA ndihmë Forcave Ajrore Shqiptare, kryhen stërvitje për përballimin e situatës që mund të krijohet me zjarret

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim në faqen zyrtare në Facebook, ku njofton për fillimin e trajnimeve të përbashkëta me Forcat Ajrore Shqiptare, në kuadër të përgatitjeve për sezonin veror dhe emergjencat që mund të sjellë ai, siç janë zjarret masive.
“Sezoni veror ka filluar – këshilltarët e Ushtrisë Amerikane po ndihmojnë Forcat Ajrore Shqiptare të arrijnë potencialin e tyre maksimal përmes trajnimeve të specializuara për reagimin ndaj zjarreve, përfshirë edhe fikjen ajrore të zjarreve me “Bambi buckets.””
Stërvitjet po zhvillohen në Bazën Ajrore të Farkës dhe përfshijnë përdorimin e mjeteve ajrore për fikjen e zjarreve.
“Stërvitjet në Bazën Ajrore të Farkës theksojnë bashkëpunimin gjithnjë në rritje midis ushtrisë amerikane dhe shqiptare për të forcuar gatishmërinë rajonale ndaj situatave të krizës.”
Ky bashkëpunim është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme që SHBA i ofron Shqipërisë në rritjen e kapaciteteve të sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave, në një kohë kur ndryshimet klimatike dhe rreziqet natyrore kërkojnë përgatitje dhe koordinim të lartë ndërinstitucional.