Aktualitet dhe Lajme

Sacchi kundër rikthimit të Allegrit te Milani: I zoti në Itali, por zhgënjen në Europë

Share

Massimiliano Allegri është ndoshta kandidati më i fortë për t’u ulur në stolin e Milanit nga sezoni i ardhshëm. Megjithatë jo të gjithë janë të bindur për rikthimin e trajnerit toskan te kuqezinjtë. Ai që shfaq shumë dyshime është padyshim Arrigo Sacchi, ai që bëri historinë e skuadrës milaneze si trajner.

“Profeti i Fusignanos” nuk kurseu asnjë kritikë ndaj Allegrit, duke nënvizuar se si tendenca për t’u fokusuar në rezultate nuk shkon mirë me ADN-në e Milanit, ku shpesh herë i është dhënë një peshë “lojës së bukur”.

“Kam respekt të madh për Allegrin dhe punën e tij. Ai është një trajner që ka bërë gjithmonë detyrën e tij kudo që ka shkuar. Më duhet të pranoj se më pëlqen një lloj futbolli ndryshe nga ai i tij. Nuk ka asgjë të keqe me këtë, është çështje shije – shpjegoi Sacchi për La Gazzetta dello Sport -. Dua të them një gjë shumë qartë, sepse në të kaluarën ka pasur shumë keqkuptime: Nuk kam asgjë kundër Allegrit, thjesht më ka ndodhur në sezonet e mëparshme të kritikoj futbollin e tij dhe ekipet e tij. Kjo është e gjitha, asgjë personale.

Allegri është një trajner që ka ndjekur në mënyrë perfekte gjurmët e historisë së futbollit italian, bazuar në mbrojtjen, kundërsulmet dhe lojtarët e nivelit të lartë. Këto janë idetë e tij dhe me këto ide ai ka arritur suksese të rëndësishme.

Ai është shumë i mirë në Itali. Nëse ai me të vërtetë do të ulet në pankinën e kuqezinjve, shpresoj se ai mund ta kthejë ekipin tim të preferuar në krye. Nëse i jep edhe stil kuqezinjve, pra nëse i lë të ushtrojnë një futboll më modern dhe më europian, do të jem edhe më i lumtur”, ka thënë mes të tjerash Sacchi.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button