Aktualitet dhe Lajme

RTSH duhet të dalë nga gjumi obllomovian

Share

Nga; Ermal Mulosmani

RTSH duhet të dalë nga gjumi obllomovian

Diku nga fillimi i muajit Shkurt, ndërsa po ndiqja një kronikë rutinë lajmesh, shoh për herë të parë emrat e Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar. Ishin aty emra shumë të nderuar të epokës komuniste, 80 vjeçarë me përvoja të jashtëzakonshme në filmin dhe estradën e kohës. Emri i tyre i rëndë dhe reputacioni i gjithëpranuar nostalgjik, ishin një garanci solide se ata veç e nderonin këtë Këshill me pjesëmarrjen e tyre. Dëgjova pastaj Leka Bungon që ankohej se “kishte vetëm çelësat e kashtës” dhe ishte i pafajshëm në të pabërat e frikshme që kishin ndodhur!

Çfarë ironie! Njeriu që kishte shkarkuar tre Drejtorë të Përgjtihshëm, i dërguari special i Kryeministrit në RTSH, personi hijerëndë që njihet për mediokritetin total përveç barcaletave të tavolinave dhe nivelit banal të humorit, 81 vjeçari Leka Bungo, sapo u zu në shkelje të ligjit, klithi: “Unë kam çelësat e kashtës”.
Por ajo që më ra në sy ishte mosha mesatare e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Siç ju thashë më lart, 3 prej tyre janë te të 80-at, nja dy afër të 70-ave dhe pjesa tjetër te të 60-at. Përveç njërit, të gjithë i kishin kaluar të 50-at.

Pra, Këshilli Drejtues ishte një qokë ku strehoheshi emra të ndritur të një kohe jo edhe aq të ndritur, për të gëzuar edhe një shtesë pensioni mbi pensionin e meritave të veçanta të dhënë me bujari nga Kryeministri!

Doemos që edhe Drejtori i Përgjithshëm që do zgjidhej prej tyre do të reflektonte përveçse dëshirën e punëdhënësit të tyre (Kryeministrit) edhe mentalitetin obllomovian të anëtarëve të tij.
Këtu më duhet të sqaroj pak termin “obllomovian”.

Obllomovi është një roman ikonë i letërsisë ruse të shekullit të XIX. Personazhi kryesor i romanit është Ivan Iliç Obllomovi, një çifligar i madh rus, trashëgimtar i një familjeje fisnike me mjaft prona dhe shërbëtorë.

Lavdia e familjes Obllomov i takonte të shkuarës. Tashmë, trashëgimtari i tyre, Obllomovi ishte katandisur në një qenie dembele në jetën e të cilit mbretëronte inercia. Në 100 faqet e para të librit, skenat janë brenda dhomës së Obllomovit, nga shtrati i tij legjendar deri te karrigia ku kishte penjuarin. Për çdo ide që i vinte në kokë, mendonte se meritonte si shpërblim gjumë shtesë, zbatimi i saj priste. Ai lumturohej pafund që dita ka kaluar dhe nata erdhi. Në gjumë ai varroste pyetjet e lodhshme se për çfarë kishte jetuar atë ditë dhe për çfarë do të jetonte nesër.

Shtyrja e punëve ishte motoja e jetës së tij. Do ishte krejt e mangët nëse nuk fus në këtë paralelizëm shërbëtorin e famshëm të Obllomovit, Zaharin! Zahari ishte shërbëtori historik i familjes. Një plak besnik që konkuronte dhëmb për dhëmb me zotërinë e tij për dembelizëm, gjumë dhe asgjëbërje. Kur Obllomovi e thërriste, diku nga ora 10 e mëngjesit, Zahari hungërinte si qen duke sharë ndër dhëmbë për këtë fat tragjik që i ra përsipër…😊

Pikërisht me Obllomovin më ka ngjarë gjithmonë RTSH-ja dhe me Zaharin Këshili Drejtues i saj. Një kalë gërdallë ku të gjithë kujdesen për të mos bërë asgjë. Sapo të vënë për vijë një Festival Kënge (të cilin si rregull ia japin personazheve që nuk punojnë në RTSH) bien në gjumin obllomovian duke gëzuar të mirat që vijnë nga menaxhimi, prona dhe financimet.

Dhe siç ndodh gjithmonë në Shqipëri, askush nuk i kritikon për gjërat që nuk bëjnë, shumica e kritikave vijnë për të vetmen gjë që bëjnë, Festivalin e Këngës! Po nuk bëre asgjë je në rregull. Kështu mendon Këshilli Drejtues, Drejtori i Përgjithshëm. Kështu ndoshta mendojnë edhe shefat e tyre. Le të strehohen ca miq aty dhe të gëzojnë një pension pleqërie në atë azil.

Ky ishte momenti kur mendova seriozisht të hidhja kandidaturën time për të qenë anëtar i KD. E pranoj, edhe vetë unë jam i vjetër për atë vend në kutin tim të gjërave. Por në mendje i kisha disa gjëra për tua sugjeruar. Që RTSH të distancohet nga Obllomovizmi, duhet që:

1) Të rinjtë të futen në strukturat drejtuese të tij. Është një domosdoshmëri që në trupin e sklerotizuar të injektohet gjaku i ri dhe adrenalina e domosdoshme që e kanë moshat 20-25 vjeçare.

Nëse mosha mesatare e drejtuesve të Televizionit është 60 vjeç edhe program që do bëjnë do të jetë për 60 vjeçarë. Apatia, ngadaësia, asgjëbërja, thashethemet dhe nostalgjia do të vazhdojnë të jenë refreni i mandatit të radhës. Disa pensionistë do të zëvendësohen me të tjerë. Dekoratat e një kohe të vjetër do të tunden për tu shoqëruarur me klithjet: “Kush je ti që guxon…”.

Ata që e kanë në dorë zgjedhjen e Këshillit të ri, duhet të bëjnë çmos për të ruajtur nderin e tyre duke i lënë në pensionin e veçantë.

Unë do të bëhem mbështetje e çdo drejtuesi që paraqet projektin e përfshirjes së të rinjve në të gjitha strukturat. Mundet që të përshtaten formate të huaja apo të sillen origjinale, por ky duhet të jetë sipas meje, pika e orientimit të programacionit. Le të jenë argëtuese, informative, kulturore apo teknologjike, nuk ka rëndësi. Bordi Drejtues duhet të krijojë hapësira për rininë. Adrenalina që sjell rinia, energjia e tyre do ta marrë përpara gërdallën e plakur në çdo gërmë, në mendësi, drejtim, këshill drejtues dhe programacion.

Nuk mundet që strukturat drejtuese të RTSH-së të konceptohen si strehë për mosha të thyera, nuk mundet që Reformën ta bëjnë 80 vjeçarët. Edhe sikur të duan nuk munden. Zemreku i kohës së tyre tashmë nuke ka ritmin e kërkuar. Duhet energi e re.

Edhe vetja më duket i vjetër në këtë kuptim. Por çdo ditë përpiqem të shoh gjëra të reja, të përqafoj ide të reja, programe të reja. Nëse do të ndryshoja një gjë në listën e kushteve për këshill drejtues është përvoja në media. Një njeri që ka 10 vjet e kusur në media është i ezauruar nga idetë moderne. Uleni atë përvojë të paktën për gjysmën e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Krijoni hapësira edhe për të rinjtë.
Një ndër gjërat që e dallojnë një televizion tradicional nga një modern është vendi që zënë të rinjtë në të.

2) Krijimin e një ekipi kreativ cilësor me pagesa konkuruese

Një pikë tjetër që do të këshilloja drejtuesit e Radiotelevizionit është krijimi i një ekipi shumë cilësor me krijues të rinj, grafistë, IT, menaxherë marketing dhe rrjetesh sociale. Kurrë nuk janë të tepërta paratë që shkojnë në drejtimin e duhur. Dhe ndryshimi i imazhit është shumë i rëndësishëm. Bashkëpunimi me studio cilësore ndoshta është një zgjidhje me projekte në rast se nuk gjenden kapacitetet e kërkuara krijuese.

3) Dhe e fundit që do këmbëngul është moscopëzimi i buxhetit. Nuk ka më keq se masivizimi dhe krijimi i një fondi për qoka qoftë politike apo klienteliste. Unë jam dhe do të mbetem përkrahës i çdo nisme që siguron kualitet të lartë profesional, të çdo projekti që sjell freski dhe frymë moderne.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button