Rrugë e re 22 km në jugperëndim të Tiranës, nis në Mullet dhe mbaron në Kashar

Në pjesën jugperëndimore të Tiranës do të ndërtohet një rrugë e re me gjatësi 22 km. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderët për ndërtimin e By–Passit që nis në Mullet dhe përfundon në Kashar.
Kjo rrugë synon të lidhë drejtpërdrejt superstradën Tiranë-Durrës dhe rrugën Tiranë-Elbasan, duke shmangur hyrjen në kryeqytet.
Sipas projektimit, traseja do të ketë dy korsi në secilën drejtim me gjerësi prej 10.5 metrash dhe do të lejojë shpejtësi deri në 120 km/h.
Rruga do të kalojë në një terren fushor dhe kodrinor, duke përfshirë ndërhyrje të thella teknike si ura të dyfishta mbi lumin Erzen, ndërtim të një tuneli të ri në Rrogozhinë, dhe vendosjen e tre nyjeve kryqëzimi. Një nga to është me rrugën ekzistuese Tiranë–Durrës (Plepa), ku parashikohet një nyje hyrëse-dalëse për zonat përreth. Dy të tjerat lidhen me autostradën Kashar–Rrogozhinë dhe autostradën Tiranë–Elbasan.
Sipas dokumenteve të tenderit, gjurma e rrugës përshkon zona bujqësore, përfshirë fshatrat Allgjatë, Picallë dhe Stërmas.
Përtej ndikimit në qarkullim, bypass-i pritet të sjellë edhe përfitime mjedisore dhe urbane.
Kjo pasi, duke shmangur kalimin e trafikut të rëndë përmes Tiranës, pritet të reduktohet ndjeshëm ndotja, trafiku i brendshëm dhe aksidentet në rrugët urbane të kryeqytetit.