Aktualitet dhe Lajme

Rritet me shpejtësi hendeku mes pensionit mesatar dhe pagës mesatare

Share

Rritja e kostove të jetesës vit pas viti nga shtrenjtimi i çmimeve, ka munsesi të dëmtojnë më shumë pensionistët, pasi diferenca ndërmjet pensionit mesatar dhe pagës mesatare po rritet shumë shpejt.

Fuqia blerëse për pjesën tjetër të popullatës mbahet disi në kontroll nga rritja e pagave, ndërsa për pensionet mbrojtja është e papërfillshme.

Të dhënat e fundit zyrtare, tregojnë një rënie të vazhdueshme të shkallës së zëvendësimit të pensioneve të pleqërisë, si në zonat urbanë ashtu edhe për ata ruralë.

Shkalla e zëvendësimit matet si raporti midis pensionit mesatar dhe të ardhurave mesatare.

Në vitin 2020, shkalla e zëvendësimit për pensionet urbane të pleqërisë ishte 37.6%, por kjo ka rënë ndjeshëm në 31.2% në vitin 2024, një rënie prej 6.4 pikë përqindje në pesë vjet.

Kjo do të thotë se pensionistët në qytete, marrin gjithnjë e më pak për të kompensuar të ardhurat që kishin gjatë periudhës aktive të punës.

E njëjta tendencë vërehet edhe në zonat rurale, ku shkalla e zëvendësimit ka rënë nga 35.7% në vitin 2020 në 29.7% në vitin 2024. Në vitin 2023 dhe 2024, për herë të parë, kjo shkallë ra nën nivelin 30%.

Në vitin 2024 paga mesatare mujore bruto, shënoi 79,500 lekë me rritje 47% nga viti 2020. Ndërsa pensioni mesatar urban në vitin 2024, ishte 19,609 lekë me rritje 24% nga viti 2020.

Kjo prirje është veçanërisht shqetësuese në kushtet e plakjes së popullsisë dhe uljes së kontributeve në sistemin e sigurimeve shoqërore.

Një shkallë më e ulët zëvendësimi, nënkupton që të moshuarit po përballen me sfida të mëdha për të ruajtur standardin e jetesës pas daljes në pension.

Rënia e shkallës së zëvendësimit, është një tregues i dobësimit të rolit mbrojtës të sistemit publik të pensioneve.

Në mungesë të reformave të qëndrueshme, pensionet nuk po arrijnë të ruajnë një lidhje të mjaftueshme me të ardhurat reale dhe inflacionin, duke i lënë pensionistët gjithnjë e më të pambrojtur financiarisht.

Rënia e shkallës së zëvendësimit të pensioneve ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të ndjeshme mbi cilësinë e jetës së pensionistëve, të cilat prekin aspektet ekonomike, sociale dhe shëndetësore.

Diferenca ndërmjet pagës mesatare dhe pensionit mesatar nuk është thjesht çështje financiare, por një problem social me pasoja të gjera për mirëqenien e të moshuarve dhe kohezionin e shoqërisë.

Ruajtja e një standardi të pranueshëm jetese për pensionistët është treguesi më i qartë i zhvillimit dhe drejtësisë sociale në një vend./MONITOR




Huazuar nga albeu.com

Back to top button