Rrëshqitja e masivit të dheut në fabrikën e kromit në Klos/ Ministria e Mbrojtjes: Vijon kërkimi për gjetjen e 29-vjeçarit

Një ngjarje e rëndë ndodhi rreth orës 14:30, në fabrikën e përpunimit të kromit në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit” tre ditë më parë në territorin e Bashkisë Klos, ku një rrëshqitje masive dheu mbuloi një punonjës dhe një ekskavator.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se pas këtij incidenti, ka nisur menjëherë një operacion për shpëtimin e punonjësit të zhdukur Ardit Beshiri.
Forca të shumta janë angazhuar për të lokalizuar dhe nxjerrë trupin e punonjësit. Në operacionin kompleks po marrin pjesë:
Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i bashkisë Klos
Forcat e Policisë
Punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM)
Ekip mjekësor me autoambulancë
Forca vullnetarizmi nga komuniteti
Efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje për detektimin e metaleve
Punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore
Rrëshqitja ka pasur përmasa të konsiderueshme, rreth 500 metra gjatësi, 20 metra gjerësi dhe mbi 4 metra thellësi.
Pavarësisht vështirësive të mëdha, për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të tjera, operacioni po zhvillohet me kujdes ekstrem.
Ministria njofton se me gjithë përpjekjet, deri më tani nuk është bërë e mundur të lokalizohet apo nxirret trupi i punonjësit të ekskavatorit.