Rishikohet buxheti/Qeveria ndan 21.8 miliardë lekë. Lajm i mirë për pensionistët: 9.7 mld lekë te bonusi i fundvitit! Ka dhe për infrastrukturën dhe digjitalizimin

Share

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot, 21 tetor, Aktin Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2025, i cili tashmë ka hyrë në fuqi.

“Ky akt vjen si pasojë e nevojës për të reflektuar ndryshimet në fushat e përgjegjësisë të disa ministrive të linjës, por edhe për të garantuar përdorimin sa më efikas të fondeve publike”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave.

Sipas Ministrisë, ndryshimet janë përgatitur pas analizës së ecurisë 8-mujore të treguesve makrofiskalë dhe buxhetorë, si dhe pritshmërive për realizimin e tyre deri në fund të vitit.

“Rishikimi synon harmonizimin e parametrave buxhetorë me realitetin fiskal dhe mbështetjen e prioriteteve qeveritare”, theksohet më tej.

Nëpërmjet këtij Akti Normativ, qeveria ka shpërndarë 21.8 miliardë lekë nga kursimet dhe fondet ekzistuese, për të mbuluar shpenzime të reja dhe investime.

Nga kjo shumë, afërsisht 8 miliardë lekë do të përdoren për projekte të rëndësishme në infrastrukturë dhe digjitalizim, në mënyrë që ato të vazhdojnë pa ndërprerje.

Ndër ndryshimet kryesore përfshihet edhe financimi shtesë për Bonusin e fundvitit për pensionistët, në vlerën e 5.9 miliardë lekëve, çka e çon fondin total të dedikuar për këtë politikë në 9.7 miliardë lekë për vitin 2025.

Në anën e të ardhurave, parashikohet rritje me 12.1 miliardë lekë e të ardhurave të përgjithshme, si rezultat i tejkalimit të të ardhurave tatimore, doganore dhe atyre nga kontributet shoqërore.

Një tjetër zhvillim pozitiv është ulja e defiçitit buxhetor në 61.6 miliardë lekë, ose 2.4% e PBB, nga 2.6% që ishte parashikuar në buxhetin fillestar.

Sipas Ministrisë, kjo ulje lidhet me menaxhimin më të mirë të borxhit publik dhe me kushtet më të favorshme të financimit, ndërsa balanca primare mbetet neutrale, në përputhje me rregullat fiskale të Ligjit Organik të Buxhetit.

Në përfundim, Ministria e Financave thekson se do të vijojë të garantojë konsolidimin fiskal, qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.


Start News

Reklama
Back to top button