
Reshjet intensive të shiut të cilat kanë përfshirë vendin kanë rritur ndjeshëm edhe prurjet në kaskadën e lumit Drin. Për të përballuar këtë situatë në të tre hidrocentralet, Koman, Vau i Dejës dhe Fierzë janë marrë masa paraprake ndërsa të gjitha strukturat janë në gatishmëri për menaxhimin e çdo situate.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në HEC Koman mbrëmjen e sotme për të monitoruar nga afër situatën dhe masat e marra për menaxhimin e saj.
Drejtori i KESH, Erald Elezi tha se prej datës 11 nëntor është punuar për të krijuar volume të lira me qëllim përpunimin e prurjeve të cilat do të vijnë në basenet e hidrocentraleve gjatë këtyre ditëve. Elezi bëri të ditur se aktualisht në dy HEC-et, Koman dhe Vau i Dejës, po punojnë me kapacitet të plotë, ndërkohë që HEC Fierza qëndron i mbyllur për të akumuluar sa më shumë ujë në basenin, i cili ka edhe kapacitetin më të madh. “Momentalisht jemi me regjim prodhimi në maksimum si hidrocentrali i Komanit ashtu edhe i Vaut të Dejës për të procesuar sa më shumë prurje nëpërmjet prodhimit”, u shpreh Elezi.
Zëvendëskryeministrja Balluku bëri të ditur se të gjitha strukturat janë në gatishmëri, duke marrë masa konkrete për të menaxhuar edhe prurjet që pritet të vijnë në ditët në vijim, ku parashikohet të ketë sërish reshje intensive. Falë të gjitha masave, sqaroi Balluku nuk parashikohet hapja e portave, duke shmangur kështu dëmet e mëtejshme në zonë.
“Na pret edhe një plot tjetër të premten, do të kemi edhe një prurje, por edhe agravim të motit. Do ketë disi një përmirësim të motit gjatë ditës së enjte, por më pas do të ketë një agravim prapë të premten. Ne jemi të përgatitur dhe çka është e rëndësishme dhe duhet t’ju themi qytetarëve, nuk parashikohet hapja e portave sepse ky është problemi kryesor”, nënvizoi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se janë të gjitha kapacitetet për menaxhimin e situatës pasi është punuar nga data 11 nëntor për të liruar volume. Janë rreth 4.5 metra mundësi për të akumuluar në liqenin e Vaut të Dejës dhe rreth 7 metra në liqenin e Komanit. “ Të 5 agregatët e Vaut të Dejës janë në funksion dhe 4 agregatët e Komanit janë në funksion. Fierza qëndron e mbyllur për të akumuluar sa më shumë dhe për të rritur nivelin e liqenit”, tha Balluku.
Start News
