Rektori Fatbardh Sallaku, jep llogari para PS-së për korrupsionin në Universitetin Bujqësor

Kryesia e Kuvendit duket se është kthyer si një sallë Gjykate, ku Rektori i Bujqësorit Fatbardh Sallaku po jep llogari para grupit parlamentar të Partisë Socialiste për korrupsionin në Universitetin që ai drejton, pas 24 masave te sigurisë të vendosura dje nga GJKKO për anëtarët e stafit të UBT-së.
Fatbardh Sallaku: “Faleminderit për mundësinë për t’u sqaruar. Është një nga atakimet më të padëshirueshme për një drejtues. Jam këtu në grupin e mazhorancës qeverisë, nuk është e rastësishme.
Mund të zgjidhja të dilja në media apo konferencë shtypi por nuk dua që të shkëputet asgjë nga konteksti dhe mesazhi të jepet i qartë.
Dje edhe unë e mora vesh ngjarjen nga mediat, mblodha stafin ku kemi sqaruar situatën dhe dua të konfirmoj që ne nuk komentojmë asnjë vendim të drejtësisë.
Besojmë që do të ketë një proces të ndershëm por ajo që besoj është që shumica e pedagogëve të mi janë njerëz të ndershëm dhe asnjë proces nuk e zhbën realitetin që besoj un dhe shumica e atyre që punojnë në UBT dhe studentëve.
Çdonjëri nga pedagogët të vërtetojë me fakte se ka punuar ndershmërisht”.
Sallaku tha se është i gatshëm që të flasë në çdo grup. Ai shtoi se nuk mbron askënd që mund të ketë abuzuar. Sallaku nënvizoi se ka nisur një reformë të thellë për të transformuar universitetin.
Fatbardh Sallaku: “Unë jam i gatshëm të shkoj në çdo grupim, të sqaroj këto gjëra. Edhe nëse Komisioni Parlamentar i Arsimit më thërret, jam gati të shkoj dhe të flas. Unë nuk mbroj asnjë person që mund të ketë abuzuar. Kam shumë besim se Universiteti Bujqësor do të ringrihet.
Ne kemi pasur shumë sfida, jemi ringritur në vitet 1990, kur askush nuk donte të studionte bujqësi, jemi ngritur më 1997, jemi ringritur sërish më vonë dhe tashmë jemi futur në një rrugë, që është e vetmja rrugë që universiteti duhet të funksionojë në Shqipëri. Ne kemi nisur reformën më të thellë në universitete”.