Aktualitet dhe Lajme

Refugjatët sirianë largohen nga Libani për shkak të bombardimeve

Share

Shumë nga mbi gjysmë milionë refugjatët që janë zhvendosur gjatë dy muajve të fundit nga Libani në Siri, fillimisht ishin larguar nga Siria për në Liban, për t’i shpëtuar luftës në vendin e tyre. Por sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës, Heather Murdock, të zhvendosurit që po kthehen në Idlib, territori i fundit që ende është nën kontrollin e kryengritësve në Siri, thonë se po kthehen në një vend pak më të sigurt se Libani, por pa shtëpi, pa vende pune dhe pa ndihma humanitare.

Për vite të tëra, vullnetarët e Mbrojtjes Civile, të njohur si “Helmetat e Bardha”, u kanë ndihmuar banorëve t’u ikin bombardimeve dhe sulmeve të tjera në zonat e Sirisë të kontrolluara nga kryengritësit. Por aktualisht, dhjetëra mijëra të zhvendosur, po rikthehen në shtëpitë e tyre në Siri. Kësaj radhe, ata po i ikin luftës në Liban, pas një dekade të jetuarit si refugjatë aty. Nidal Dabdoub është vullnetar i organizatës ‘Helmetat e Bardha’.

“Ekipet tona po punojnë për t’u dhënë të sëmurëve dhe atyre që janë drobitur për shkak të udhëtimit të gjatë, ndihmën e parë. Disa prej tyre po i dërgojmë në spital”, thotë ai.

Rruga nga Libani deri në Idlib është e gjatë dhe e rrezikshme, sipas atyre që janë kthyer së fundmi. Njëri prej tyre është Muhammad Al-Youssef, refugjat sirian, që është kthyer nga Libani.

“Udhëtimi ishte i vështirë dhe i mundimshëm. Kemi fjetur në tokë dhe qëndruam nëpër rrugë për katër ditë”, tregon ai.

Familjet që po kthehen në Siri, po i gjejnë shtëpitë e tyre të shkatërruara. Nuk po gjejnë punë dhe as ndihmë humanitare. Por, ata thonë se nuk kishin zgjidhje të tjera, veç të largoheshin nga Libani. Abu Estif, i zhvendosur nga Siria, ka jetuar si refugjat në Liban për 12 vjet.

“Bombardimet ndodhën në afërsi të vendit ku jetonim. Ata bombarduan një depo raketash për të cilën askush nuk e dinte dhe bombarduan edhe një shtëpi afër nesh”, thotë ai.

Katërmbëdhjetë vjeçari Hassan u kthye vetëm për të jetuar me gjyshin e tij në Siri. Ai është i vetmi që i mbijetoi bombardimit në Liban që shkaktoi vdekjen e 18 anëtarëve të familjes së tij.

“Nipi im qëndroi nën gërmadha për 12 orë. Një pjesë e murit të shtëpisë u shemb mbi të. Ai kishte pak forcë – arriti të lëvizë mes gërmadhave dhe thirri për ndihmë derisa disa njerëz e dëgjuan dhe e shpëtuan”, rrëfen ai.

Në Siri, Hassanit i duhet trajtim mjekësor, por familja nuk ka mundësi të përballojë koston, thotë gjyshi i tij. Zyrtarët lokalë thonë se pjesa veriperëndimore e Sirisë mund të duket më e sigurt se Libani, por duke marrë parasysh mungesën e ndihmave humanitare dhe luftimet ndërmjet qeverisë dhe kryengritësve, ky vend është vetëm pak më mirë.

“Aktualisht situata në veriperëndim të Sirisë është shumë e vështirë. Ndihmat humanitare mungojnë, ngaqë shumica e organizatave janë tërhequr nga kjo zonë dhe ka bombardime vazhdimisht”, thotë zyrtari për zhvillim, Tariq Al Ali.

Kombet e Bashkuara thonë se që kur Izraeli filloi fushatën intensive të bombardimit në Liban, mbi gjysmë milion njerëz kanë ikur në drejtim të Sirisë, shumica e tyre refugjatë sirianë dhe libanezë. Gjatë vitit të fundit rreth 100 civilë izraelitë dhe ushtarë janë vrarë në konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut. Në Liban, numri i të vrarëve nga luftimet ka arritur në 3,400, përfshirë mbi 200 fëmijë./VOA




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button