Aktualitet dhe Lajme

Rama tha se do të kërkojë heqjen e “non gratës” nga Greqia për Marin Memën/ UGSH: Veprim i vonuar

Share

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalimit të mbajtur në mitingun e Selanikut, deklaroi se do t’i kërkojë shtetit grek të heqë vendimin për të shpallur “non grata” gazetarin shqiptar, Marin Mema, vendim i marrë 12 vite më parë.

Pas kësaj deklarata të Ramës ka reaguar dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, që e quan të vonuar këtë veprim të lajmëruar nga qeveria.

UGSH thotë se në mënyrë të përsëritur e ka ngritur zërin për këtë vendim absurd të autoriteteve greke ndaj Marin Memës dhe disa rasteve të tjera me gazetarë të mediave të tjera.

Reagim i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Kërkesa e Kryeministrit të Shqipërisë zotit Edi Rama për “… rishikimin e një vendimi absurd 12 vite më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema që të hyjë në Greqi”, është një reagim i vonuar i qeverisë së Shqipërisë.

UGSH është e vetmja organizatë e gazetarëve profesionistë në Shqipëri që në mënyrë të përsëritur e ka ngritur zërin për këtë vendim absurd të autoriteteve greke ndaj këtij gazetari të njohur dhe disa rasteve të tjera me kolegë të mediave të tjera.

UGSH, ndaj këtij rasti, ka protestuar para Ambasadës së Greqisë në Tiranë, para Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe u është drejtuar Federatës Europiane të Gazetarëve dhe Reporterëve pa Kufi, për solidaritet.

Në disa takime dhe forume UGSH ka kërkuar ndjekjen e kësaj çështjeje dhe reagimin e palës greke për rishikimin e këtij vendimi dhe mospërsëritjen e sjelljeve penguese ndaj gazetarëve për lëvizje dhe qarkullim të lirë mes dy vendeve tona.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button