
Qeveria e Spanjës prezantoi këtë të hënë një plan prej 9 miliardë eurosh për mbështetjen e tranzicionit energjetik, duke synuar kryesisht rikonstruksionin e banesave dhe lehtësimin e përdorimit të transportit publik për qytetarët.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, deklaroi gjatë prezantimit të planit se “revolucioni energjetik nuk mund të favorizojë vetëm ata që kanë mundësi të ndërrojnë makinën, të instalojnë panele diellore apo të rikonstruktojnë shtëpitë pa ndihmën e shtetit”.
“Ky transformim duhet të jetë në dobi të të gjithëve”, u shpreh Sanchez, duke theksuar se projekti do të bashkëfinancohet edhe nga Bashkimi Europian.
Spanja konsiderohet një nga vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike, me valë të nxehti që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive, ndërsa stinët e vjeshtës dhe dimrit po shoqërohen me reshje më të dendura se më parë.
Sipas detajeve të planit, rreth 4.7 miliardë euro do të përdoren për përmirësimin energjetik të banesave dhe lagjeve, ndërsa 4.3 miliardë euro do të investohen në sektorin e transportit.
Një nga masat më të rëndësishme parashikon krijimin e një aboneje speciale që do t’u mundësojë qytetarëve përdorimin pothuajse falas të transportit publik.
Megjithatë, miratimi i këtij plani kërkon shumicën në parlament, të cilën qeveria aktuale nuk e zotëron.
“Na duhet mbështetja e të gjitha grupeve parlamentare”, deklaroi Sanchez, duke iu bërë thirrje edhe opozitës së djathtë dhe asaj të ekstremit të djathtë që të votojnë pro projektit.
Sipas tij, fondet europiane për klimën kërkojnë përshtatjen e legjislacionit kombëtar me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Europian.
starnews.al