Aktualitet dhe Lajme

Qeveria shqiptare po merr borxh 10 vjeçar gati me të njëjtat interesa si Thesari i SHBA

Share

Qeveria shqiptare është duke blerë borxh 10 vjeçar gati me të njëjtat kosto si Thesari i SHBA-ve. Interesi i obligacioneve 10 vjeçare në lekë, ra sërish në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë duke zbritur në kuotën 4.7 për qind.

Kjo ishte norma më e ulët në histori e bondeve 10 vjeçare në lekë. Për krahasim, interesi i obligacioneve 10 vjeçare të qeverisë amerikane aktualisht luhatet në kuotën 4.4-4.5 për qind.

Obligacionet janë letra me vlerë përmes të cilave qeveria merr borxh nga tregu. Interesi që rezulton nga ankandi i tyre është kostoja që paguan buxheti për marrjen e këtij e borxhi.

Në ankandin e fundit, qeveria synonte të merrte fillimisht 3.5 miliardë lekë borxh përmes bondeve 10 vjeçare.

Por oreksi i tregut për të financuar qeverinë ishte i madh duke bërë që vlera totale e kërkesave në ankand të arrinte gati 4.6 miliardë lekë.

Duke parë dhe normën e favorshme të interesit, ministria e Financave vendosi të marrë 3.7 miliardë lekë.

Prej më shumë se 1 viti, normat e interesit të letrave me vlerë kanë qenë në rënie të vazhdueshme.

Aktualisht, në të gjithë spektrin e tregut të bonove qeveritare, interesat janë në nivelet më të ulëta në histori, nga bonot me afat tremujor deri tek obligacionet 10 vjeçare.

Ky oreks i madh i tregut për të financuar qeverinë me borxh vjen për shkak të një sërë faktorëve. Së pari, një nga arsyet kryesore që po i shtyn normat për poshtë lidhet me uljen e borxhit publik dhe gjendjen e bollshme të likuiditetit në sektorin bankar.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me zgjerimin e bazës së investitorëve që blejnë borxhin e brendshëm shqiptar.

Vitin e kaluar disa investitorë amerikanë blenë mbi 14 miliardë lekë borxh të brendshëm të qeverisë shqiptare përmes letrave me vlerë duke rritur kështu konkurrencën në treg dhe për pasojë duke ulur interesat.

Dhe afrimi i investitorëve nga jashtë që blejnë borxh në lekë të qeverisë shqiptare sinjalizon dhe faktorin e tretë të rënies së normave të interesit. Ai është rënia e primeve të rrezikut dhe rritja e besimit tek ekonomia shqiptare, por edhe tek leku./ Kapitali.al




Huazuar nga albeu.com

Back to top button