Qeveria miraton Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024-2030/ Shqipëria ndahet në 6 rajone turistike

Qeveria shqiptare ka miratuar zyrtarisht Strategjinë e re të Turizmit për periudhën 2024–2030, e cila synon të rrisë ndjeshëm ndikimin e këtij sektori në ekonominë kombëtare dhe të promovojë një zhvillim të qëndrueshëm të industrisë turistike.
Dokumenti strategjik parashikon ndarjen e territorit në gjashtë rajone turistike të përcaktuara qartë, me qëllim përmirësimin e menaxhimit të destinacioneve dhe zhvillimin e produkteve të reja turistike në përputhje me veçoritë dhe potencialet e secilit rajon.
Zonat janë:
Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut
Rajoni turistik verior i brendshëm
Rajoni turistik i Tiranës
Rajoni turistik qendror
Rajoni turistik i bregdetit të Jonit
Rajoni turistik jugor i brendshëm
Strategjia përcakton objektiva të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmi deri në vitin 2030, të shoqëruara me zgjerim të kapaciteteve akomoduese, rritje të cilësisë së shërbimeve, si dhe detyra të reja për institucionet shtetërore që mbulojnë sektorin.
Në një video-mesazh, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.
“Sot mirënjohje për të gjithë stafin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për ata dhjetëra specialistë që u përfshinë në hartimin e kësaj strategjie dhe sigurisht për partnerët tanë të GIZ që japin një kontribut të çmuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm”, shprehet Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.