Qasje e re në protokollet mjekësore të gjinekologjisë, Eliona Demaliaj, drejtoresha e Maternitetit  “Mbretëresha Geraldinë: Nisim përshtatjen me spitalet evropiane

Share

Rinovimi i protokolleve mjekësore në të gjitha shërbimet shëndetësore është një nga kërkesat kryesore të ministres së Shëndetësisë Evis Sala. Të parët që kanë lëvizur në këtë drejtim kanë qenë profesorët e gjinekologjisë dhe obstetrikës të cilët në një kongres ndërkombëtar të zhvilluar këtë fundjavë në Tiranë kanë përcjellë qasjet më të fundit të teknologjisë dhe shkencës për mirëqenien e shëndetit të gruas me qëllim përshtatjen e tyre në spitalet tona.

Një nga kërkesat e ministres së shëndetësisë për rishikimin e protokolleve diagnostike dhe terapuetike në spitalet tona, ka sjellë lëvizjet e para.

Profesorë të  fushës së gjinekologjisë dhe obstetrikës janë mbledhur në kongresin ndërkombëtar “Mirëqenia e Gruas në një të ardhme më të mirë” për të diskutuar rreth ndërhyrjeve kirurgjikale mini invazive , përdorimin e teknologjisë si dhe të rejat që ofron shkenca sidomos në trajtimin e infertilitetit me qëllim përdorimin e këtyre qasjeve edhe në vendin tonë

“Fokusi ynë është që protokollet tona mjekësore të përshtaten dhe të unifikohen jo vetëm ndërmjet klinikave tona këtu por edhe me klinikat më prestigjoze në Evropë. Është kjo edhe një kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, tha Eliona Demaliaj, Drejtore , Materniteti  “Mbretëresha Geraldinë”

“Sot kemi përsosur disa strategji për implementimin dhe përdorimin e teknologjisë që  zvogëlon impaktin e ndërhyrjeve kirurgjikale në cilësinë e jetës se grave. Kirurgjia moderne sjell benefite dhe progres. Sjell  kirurgji me saktësi më të lartë dhe me më pak ndërlikime. Kirurgjia mini invazive  ka impakt estetik, me pak  cikatrice, por dhe më pak komplikacione, më pak humbje gjaku dhe një  rikuperim pas operacionit shumë të shpejtë”, tha Prof. Violante di Donato nga Departamenti i Obstetrikë  – Gjinekologji, Universiteti LA Sapienza

Sot 1 në 6 çifte përballen me vështirësi në sjelljen në jetë të një fëmije dhe shkak për këtë është rritja e faktorëve me risk të lartë në stilin e jetesës.

“Mosha e madhe kur çiftet konceptojnë një shtatzëni, infeksionet, përdorimi i alkoolit duhanit dhe substancave narkotike  – janë këto disa nga faktorët kryesor të rritjes së infertilitetit edhe në vendin tonë”., tha Eliona Demaliaj.

Profesorë  të universitetit “La Sapienza” me kontribut të gjerë akademik dhe klinik në fushën e shëndetit të gruas  sollën në Kongresin Ndërkombëtar të Obstetrikë-Gjinekologjisë prezantime profesionale me përmbajtje të përditësuar dhe vlerësuan aftësinë e ekipit mjekësor shqiptar për të aplikuar  teknikat  më të reja  në këtë fushë.


Start News

Reklama
Back to top button