Pse i dekretoi zgjedhjet në Tiranë? Presidenti jep argumentet ligjore. Begaj: Do e mbroj vendimin tim në GJK. Ish-Presidenti Topi kundër

Në një intervistë mbrëmjen e sotme në “Top Story” nga Grida Duma, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj tregoi se pse e dekretoi datën e zgjedhjeve në Tiranë.
Presidenti Begaj tha se ka ndjekur të gjithë rrugëtimin kushtetues dhe procedurat juridike që respektojnë Kushtetutën për shkarkimin e Erion Veliajt si dhe për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. Begaj shtoi se duke respektuar çdo parim kushtetues ai ushtroi kompetencën e tij për nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e parakohshme
Pjesë nga intervista:
Grida Duma: Ju dekretuat sipas nenit sipas nenit 115 të Kushtetutës një datë zgjedhjesh e cila me një furi reagimi nga një palë politike që është opozita e quajti atë bajz, pra se keni patur një anësi politike në momentin që keni dekretuar një kërkesë për datën e zgjedhjeve, ndërkohë që Erion Veliaj në bashkinë e Tiranës që dihet që është molla e madhe e diskutimit ka çuar ankimimin në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nga ana e vet thotë që ne e kemi shpallur gjykimin. Si emorët ju këtë vendim?
Bajram Begaj: Unë mendoj që nuk mund të vendoset balancë në gjykimin midis dekretit të Presidentit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Patjetër që kryetari i bashkisë është shkarkuar më VKM nga KM pas propozimit të bërë nga këshillit bashkiak, i cili e votat e pozitës dhe opozitës gjeti si shkak ligjor mosparaqitjen në detyrë. Shkak ligjor që është trajtuar gjerësisht në media.
Po kështu Qeveria nga ana e saj në vendimin e shpallur merr në analizë si shkak, jo shkakun politik të lidhur e nenin 115 të Kushtetutës e cila thotë “për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve”, por thotë që shkarkimi nga detyra i kryetarit të bashkisë është bërë me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë. Pra kemi të bëjmë me nenin 62 pika c.
Patjetër që kjo dileme është konsultuar me ekipin tim dhe janë marr në analizë çdo pretendim në media apo i palëve të caktuar A, i cili pas një diskutimi tepër aktiv më siguruan që duke respektuar parimet kushtetuese, presidenti duhet të ushtrojë kompetencën kushtetuese për nxjerrjen e dekretit për zgjedhje të parakohshme. Patjetër me nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e parakohshme nuk i është mohuar e drejta palëve për të çuar në instancat ligjore çdo pretendim të mundshëm por Gjykata Kushtetuese shprehet me vendim dhe një vendim i tillë mesa di unë akoma nuk është marrë.
Presidentit i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në një intervistë ekskluzive për Top Story me Grida Dumën foli për dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë.
I pyetur nga Grida Duma se çfarë do të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim për pezullim të vendimit, Begaj tha se do të mbrojë vendimin e tij presidencial në çdo rast.
Presidenti Begaj komentoi edhe zgjedhjet për kreun e ri të SPAK dhe BKH.
Pjesë nga intervista në “Top Story”
Grida Duma: Ju thoni që unë kam ndjekur gjithë rrugëtimin kushtetues dhe procedurat juridike që respektojnë Kushtetutën, dhe kjo nuk bie në konflikt me Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet të marrë një vendim. Unë bazohem tek vendimet thoni ju dhe jo mbi gjykimet në proces. Por në rast se Gjykata Kushtetuese merr një vendim për pezullim, çfarë do të shkaktonte kjo?
Presidenti Begaj: Ju mendoni se mund të ketë një konflikt institucional midis legjitimitetit të zgjedhjeve?
Grida Duma: Së pari, a do të pezullohen? A ka konflikt institucional? Cilat do të ishin variablat?
Presidenti Begaj: Unë nuk mund të aludoj mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata është në të drejtën e saj të zbatojë detyrimin ligjor. Ajo që ne sigurohemi kur nxjerrim një akt është që të marrim parasysh çdo pretendim dhe, nëse ky akt i Presidentit do të shkojë në një instancë ankimore apo ligjore, për të mbrojtur qëndrimin tonë në çdo rast.
Grida Duma: Që do të thotë, përsëri jemi brenda ligjshmërisë, në gjithë zinxhirin, në logjikën tuaj.
Presidenti Begaj: Jemi brenda ligjshmërisë.
Grida Duma: Jemi përsëri në momentin kur BKH dhe SPAK do të kenë zgjedhje. Pak dihet që ndoshta krerët e tyre do të kenë një përqindje shumë më të vogël të peshës që kanë pasur dikur në instancat e tyre, sepse prokurorët e tjerë kanë po të njëjtën peshë. Megjithatë, duket sikur kreu i këtyre institucioneve përcakton edhe frymën e tyre.
Ka pasur një analizë të thellë në media, një konflikt, jo interesi, por një konflikt kompetencash midis BKH dhe SPAK. Dhe mbi të gjitha, shqetësimi i madh është, a kemi sigurinë që vërtet po avancojmë në depolitizimin dhe mungesën e influencës politike në këto dy instanca të drejtësisë?
Në fakt, drejt apo jo drejt, z. President, sepse unë besoj se drejtësia ka më shumë hallka sesa vetëm SPAK apo BKH që merren me politikën, por që janë “koka e peshkut” në njëfarë mënyre… Në qasjen tuaj, a do të jetë i depolitizuar ky proces?
Dhe, a ka një rol të mundshëm të nënkuptuar apo të kuptuar të Presidentit të Republikës për të balancuar në kushtet ku kemi një çekuilibër politik midis pozitës dhe opozitës, sa i përket numrit sasior të aktorëve në Parlament? A bëhet roli juaj edhe më i rëndësishëm?
Presidenti Begaj: SPAK dhe GJKKO janë institucione që kanë dalë nga reforma në drejtësi. Unë bashkohem me vlerësimin e qytetarëve që SPAK është një institucion i cili ka besueshmërinë më të lartë në vend dhe ka dhënë rezultate që ndihen në publik përsa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
Patjetër që SPAK-u nuk është i vetmi që duhet ta bëjë këtë punë. Në vendin tonë janë edhe institucionet e tjera ligjzbatuese, të cilat duhet të kryejnë të njëjtin mision. Kërkohet bashkëpunim, bashkërendim dhe një qasje e përbashkët për të arritur rezultate akoma më të prekshme.
Unë mendoj që zgjedhja e drejtuesve të rinj të SPAK dhe BKH ka një rëndësi të veçantë dhe kjo zgjedhje duhet të bazohet në meritë, profesionalizëm, integritet dhe dinjitet. Unë jam mbështetës i reformës në drejtësi, mbështes pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve dhe besoj fort që zgjedhja e tyre do të bazohet në meritë.
Nga ana tjetër, mendoj që reforma në drejtësi duhet të shndërrohet tashmë në një drejtësi funksionale, në një drejtësi që të jetë e drejtë për të gjithë njerëzit, në një drejtësi që ka një procedurë ligjore të rregullt sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Një rëndësi të veçantë në këtë drejtim kanë edhe institucionet që, sipas ligjit, janë vetërregullues të sistemit të drejtësisë. Dhe në asnjë rast nuk ka ndërhyrje politike. Nuk ka asnjë rol të Presidentit të Republikës për të ndikuar në përzgjedhjen apo ngritjen në detyrë të dikujt që është pjesë e institucioneve të drejtësisë.
Ish-presidenti Bamir Topi është shprehur kundër dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli dekretin për datën e zgjedhjeve për Tiranën më 9 nëntor ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vazhdimësinë e procedurave pas ankimimit të Erion Veliajt.
Reagon Bamir Topi
Në studion e Off the Record, Topi tha se nuk do ta firmoste dekretin nëse do të ishte në detyrën e kreut të shtetit.
Sipas tij presidenti Begaj duhet të kishte respektuar vendimin e Gjykatës kushtetuese.
“Jo Absolutisht jo. Nuk do e kisha hedhur firmën. E kam ndjekur situatën nga dje deri më sot dhe të gjithë politikanët, analistët, gazetarët, juristët dhe konstitucionalistët konvergojnë në një pikë; që nuk i dihet asnjëherë se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese, por kur njofton pezullimin e vazhdimësisë së procedurave, çdo institucion tjetër duke filluar nga presidenti kryeministri e të gjithë institucionet e tjera duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Topi thekson se Begaj në cilësinë e përfaqësuesit të shtetit shqiptar duhet të respektojë dhe të jetë garant i kushtetutës dhe jo të bëhet njësh me shtetin.
“Kreu i shtetit kur merr detyrën duhet të jetë i pari që duhet të respektojë nen për nen, në frymë e gërmë kushtetutën e vendit. Kjo vlen për të gjithë se është pikë referimi i përfaqësimit të shtetit. Nëse Rama përfaqëson pushtetin, shteti përfaqësohet nga kreu i shtetit. Kur pushteti bëhet njësh me shtetin, atëherë më thoni ju kush është garanti. Është një rregull i pranuar e votuar nga të gjithë; për të gjitha konfliktet e marrëveshjet institucionale i takon Gjykatës Kushtetuese”.
Ish-presidenti sugjeron se kreu i shtetit mund të zgjerojë rrethin e këshilltarëve në momente të caktuara apo kur ka presion politik.
“Presidenti këshillohet me juristët e këshilltarët juridikë. Për rrethana të caktuara e ka mundësinë ta zgjerojë rrethin. Kur ka edhe presion politik presidenti e ka mundësinë”.
Start News