Propagandë me turizëm, por pa efekt financiar, taksa e fjetjes mbetet qesharake në buxhetin e Bulqizës

Share

Foto ilustruse

Ndërsa Bashkia Bulqizë “promovon” vit pas viti potencialin turistik të territorit, të dhënat zyrtare tregojnë një realitet krejt tjetër: turizmi nuk po përkthehet në të ardhura për buxhetin vendor. Në buxhetin për vitin 2026 “Parashikimi i të Ardhurave”, ajo që bie në sy është niveli tejet i ulët i të ardhurave nga taksa e fjetjes në hotel, një nga treguesit kryesorë të zhvillimit të turizmit lokal.

Sipas tabelës zyrtare, në vitin 2023 bashkia ka arkëtuar 0 lekë. Ndërsa për vitin 2024 Bashkia Bulqizë ka arkëtuar vetëm 24 mijë lekë nga taksa hoteliere, ose rreth 250 euro në vit. Edhe për vitin 2025 parashikimi mbetet në të njëjtin nivel minimal – 75 mijë lekë, ndërsa për 2026 po ashtu vetëm 75 mijë lekë, një shifër që nuk përputhet me retorikën për rritje të vizitorëve, promovim turistik apo zhvillim ekonomik lokal.

Sipas kuadrit ligjor në fuqi, taksa e fjetjes në hotel është një taksë vendore e parashikuar nga ligji nr. 9632 “Për sistemin e taksave vendore” dhe Ligji nr. 93/2015 “Për Turizmin”. Kjo taksë paguhet nga klienti për çdo natë qëndrimi, por mblidhet dhe derdhet në buxhetin e bashkisë nga vetë strukturat akomoduese. Niveli i saj ndryshon sipas kategorisë së strukturës dhe paketës fiskale të miratuar nga këshilli bashkiak.

Sipas Paketës Fiskale të Bashkisë Bulqizë për vitin 2025, planifikimi i të ardhurave nga taksa e fjetjes në hotel bazohet në kapacitetin aktual, parashikimin e zgjerimit të tij, rritjen e numrit të njësive dhe shtrirjen e sezoneve turistike. Niveli i kësaj takse është përcaktuar në 105 lekë për natë/person për hotelet me 4-5 yje dhe 35 lekë për natë/person për hotelet nën 4 yje, motelet, hostelet dhe bujtinat.

Ligji parashikon edhe përjashtime, kryesisht për fëmijët nën një moshë të caktuar ose për kategori të veçanta sociale.

Kjo taksë konsiderohet një nga burimet kryesore të të ardhurave të veta për bashkitë me potencial turistik, pasi fondet e mbledhura përdoren për mirëmbajtjen e infrastrukturës turistike, promovimin e zonës si destinacion dhe për shërbime bazë si pastrimi dhe ndriçimi publik në zonat ku ushtrojnë aktivitet strukturat akomoduese.

Në rastin e Bulqizës, shifrat flasin për një dështim të plotë të këtij mekanizmi. Të ardhurat janë aq të ulëta, sa nuk justifikojnë as ekzistencën e një sezoni minimal turistik. Për krahasim, në bashki të tjera me fluks turistik të moderuar, të ardhurat nga kjo taksë arrijnë në miliona lekë në vit.

Njohës të ekonomisë lokale i thanë Bulqizaime.al se kjo situatë sugjeron edhe një problem tjetër serioz: mungesën e kontrollit efektiv nga ana e Bashkisë Bulqizë mbi subjektet akomoduese. Sipas tyre, kapacitetet hoteliere ekzistojnë, por netët e qëndrimit nuk deklarohen realisht, atëherë bashkia po humbet të ardhura të drejtpërdrejta në buxhetin vendor, ndërsa deformohet konkurrenca në tregun lokal në dëm të subjekteve që respektojnë ligjin.

Ata shtojnë se disa struktura hoteliere në Bulqizë, të cilat në rrjetet sociale deklarojnë se në ditë të caktuara janë plotësisht të rezervuara, janë ndërtuar ose zgjeruar me mbështetje financiare përmes granteve nga buxheti i shtetit dhe Bashkimi Evropian. Me synimin për zhvillimin e turizmit dhe jetësimin ekonomik të fshatrave. Kjo përbën një indicie të qartë për organet tatimore dhe institucionet vendore për të nisur kontrolle të plota dhe më të thelluara. Në kontrast të dukshëm me të ardhurat minimale të deklaruara në buxhetin vendor dhe duhet të shërbejnë si bazë për verifikimin e numrit real të netëve të qëndrimit, nivelit të xhiros dhe përputhjes së tyre me detyrimet fiskale.




bulqizaime.al

Reklama
Back to top button