
Prokuroria e Vlorës, e mbështetur nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe specialistë të Krimit Ekonomik, ka zhvilluar një kontroll në ambientet e Bashkisë së Vlorës. Aksioni është ndërmarrë ditën e djeshme, duke nisur rreth orës 16:00 dhe duke vijuar deri në mesnatë.
Burime bëjnë me dije se kontrolli është përqendruar në zyrën e aseteve të Bashkisë, ku janë sekuestruar dosje dhe dokumentacion që i përkasin periudhës kohore 2023–2025. Dosjet e marra lidhen me administrimin dhe menaxhimin e pronave në varësi të pushtetit vendor.
Sipas informacioneve paraprake, dyshimet e hetimit lidhen me çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e hapësirave publike, përfshirë edhe administrimin e plazheve gjatë sezoneve turistike. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar mbi natyrën konkrete të hetimeve apo personat që mund të jenë nën verifikim.
Start News
