Prezantimi i paketës së masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit Rama: Ofensiva kundër ndërtimeve pa leje mund të vijojë gjatë të gjithë mandatit

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në prezantimin e paketës së masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit.
“Siç nuk ka asgjë të përkryer nuk është e tillë as kjo paketë, por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumente të reja për të mbrojtur territorin, duke nisur që nga suksesi përfundimtar i një ofensive që do të zgjasë mbase edhe gjatë të gjithë mandatit të ri për ndalimin pa kthim të çdo frymëzimi për të ndërtuar pa leje, deri tek mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike që gjatë të gjithë kësaj kohë, që kur në Shqipëri ka nisur ndërtimi nga sipërmarrja e lirë, janë deformuar dhe përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve.
Kjo i kthen në formale filtrat që vendosen për të garantuar që projekti plotëson standarded dhe një tjetër pasojë e konsiderueshme, mashtrimi që u bëhet blerësve duke u shitur objektin që ka marrë leje me pamjet specifike, ndërsa në fund pamja është si një kushëri i largët që sapo ka dalë i qethur e i rruar nga berberi dhe me trupin e deformuar”, tha Rama.