Pretendime për manipulim në vota, KAS vendos për rinumërim të 126 kutive në Durrës, nën shqyrtim dhe votat e diasporës

Komisioni i ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur ditën e sotme hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave për dy qendra votimi në Durrës.
Përkatësisht votat që do të rinumërohen i përkasin KZAZ 21 dhe 22 te Qarkut Durrës, pas kërkesës së dy anëtarëve Elvis Pefa dhe Ledio Braho.
Gjithashtu KAS vendosi dhe hapjen e 126 kutive, përfshirë dhe ato të diasporës, me qëllim rinumërimin e votave preferenciale për kërkesës së kandidatit në listë të hapur Aulon Kalaja, pjesë e Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Partisë Demokratike (ASHM).
Aulon Kalaja ka paraqitur në KAS një sërë provash teksa prentendon se ka pasu devijim të votave, jo vetëm për të por edhe për 13 kandidatë të tjerë. Kalaja ngre dyshime se votat e tij i kanë kaluar kandidatit tjetër të qarkut Durrës, Arjan Ndoja, i cili ka arritur të sigurojë mandatin e tij.
“Në ekran shfaqen 31 vota për kandidatin Arjan Ndoja dhe në procesverbal na rezultojnë 37 vota. Ka raste edhe kur u janë hequr e shtuar kandidatëve të tjerë. I kemi me minuta dhe kohë në 69 kuti që kemi verifikuar deri tani. Në KZAZ nr. 21, qv 1361, tavolina 1, kemi konstatuar nga leximi që i është bërë tabela nuk përputhet me proces-verbalin, ka lëvizur vota, 4 fletë votimi për Aulon Kalanë, në procesverbal janë pasqyruar 2 vota, për kandidatin Hoxha 3 vota nga leximi në pamje, në proces-verbal 2 vota, për kandidatin Ndoja në ekran 20 vota, në tabelë, proces verbal 25 vota. Kandidatit Ndoja i shtohen vota dhe në një qendër tjetër, nga 12 në ekran, në proces-verbal 15 vota”, tha përfaqësuesi i Kalasë.