Presidenti Zelensky: Besoj se Ukraina do bëhet anëtare e BE-së në vitin 2030

Share

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se shpreson që Ukraina të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, duke u shprehur i bindur se ky proces mund të ndodhë edhe më herët. Ai foli në Samitin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel.

Duke u folur online nga fronti i Pokrovskut, në përgjigje të pyetjes se ku do të jetë Ukraina dhe BE-ja në 2030 dhe nëse ai do të jetë presidenti që do të drejtojë vendin drejt anëtarësimit evropian, Zelensky u përgjigj se “Së pari, do të doja të besoja se Ukraina do të bashkohet me BE-në më herët se 2030. Mund të tingëllojë si iluzion për ju, por në një kohë, mbrojtja e pavarësisë së Ukrainës nga Rusia dukej iluzion”

Ai theksoi se do të ishte e drejtë që Ukraina të bëhet anëtare e plotë e BE-së pas mbarimit të luftës.

Sigurisht, do të doja të isha presidenti nën të cilin Ukraina bashkohet me BE-në. Por kjo, natyrisht, nuk është prioriteti kryesor. E rëndësishmja është që Ukraina të bashkohet me BE-në dhe kushdo qoftë presidenti në atë kohë, është një çështje tjetër,” shtoi Zelensky.

Më herët sot, Zelensky deklaroi se Ukraina po ecën me siguri drejt anëtarësimit në BE dhe është gati të hapë grupe negociatash 1, 2 dhe 6, pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për zgjerimin.

Këto grupe mbulojnë fusha si bazat e së drejtës, ekonomi dhe menaxhimi i mjedisit, duke reflektuar përparimin e shënuar në reformën e administratës publike, siç u konstatua në Paketën e Zgjerimit të së hënës.

Megjithatë, procesi po has pengesa nga Hungaria, e cila po bllokon nisjen e negociatave të anëtarësimit të Ukrainës duke shfrytëzuar rregullin e unanimitetit në vendimet e zgjerimit të BE-së.

Zelensky refuzoi të propozojë oferta speciale për kryeministrin hungarez Viktor Orbán për të hequr veton, duke thënë se nga kundërshtimi i tij vazhdueshëm përfiton vetëm Rusinë.

Ky samit vjen në një moment kritik për Ukrainën, e cila po lufton kundër agresionit rus në frontin lindor, ndërsa kërkon mbështetje të re financiare dhe ushtarake nga BE-ja për vitin 2026.

Zelensky theksoi se ushtarët ukrainas po luftojnë jo vetëm për familjet e tyre, por për të ardhmen e Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke e quajtur këtë një betejë për vlerat evropiane të demokracisë dhe lirisë.

Sipas raportit, të Komisionit Evropian të publikuar ditën e hënë, Ukraina ka treguar përparim të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit, veçanërisht në administratën publike, dixhitalizim dhe reforma të tjera, duke e pozicionuar vendin si gati për hapa të mëtejshëm negociatash.


starnews.al

Reklama
Back to top button