Aktualitet dhe Lajme

Presidenti Trump zotohet për llogaridhënie për personat që bënë hetimet ndaj tij

Share

Duke folur të premten në Departamentin e Drejtësisë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u zotua për llogaridhënie për personat që u angazhuan në hetime ndaj tij gjatë periudhës që nuk ishte në detyrë.

“Pararendësit tanë e shndërruan këtë Departament të Drejtësisë në Departamentin e Padrejtësisë. Por, unë gjendem sot këtu përpara jush për të deklaruar se ato ditë kanë marrë fund dhe nuk do të rikthehen më kurrë. Nuk do të kthehen më kurrë”, tha Presidenti Trump.

Gjatë viteve kur nuk ishte në detyrë, departamenti ngriti dy herë akuza ndaj ish-Presidentit Trump për mbajtjen e dokumentave të klasifikuara në pronën e tij në Florida dhe për përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Të dyja dosjet hetimore u pushuan pasi Presidenti Trump fitoi zgjedhjet në nëntor. Departamenti i Drejtësisë përmendi si bazë për këtë veprim politikën e hershme për të mos ngritur akuza ndaj një presidenti në detyrë.

“Tashmë, si zyrtari më i lartë ligjzbatues në vendin tonë, unë do të këmbëngul dhe do të kërkoj llogaridhënie të plotë dhe gjithëpërfshirëse për shkeljet dhe abuzimet që kanë ndodhur. Populli amerikan na ka dhënë një mandat, një mandat që shumë pak njerëz menduan se mund të ishte i mundur”, tha Presidenti Trump.

Administrata e re amerikane ka shkarkuar prokurorët që e hetuan Presidentin Trump gjatë administratës së ish-Presidentit Biden dhe po shqyrton punën e mijëra agjentëve të FBI-së që hetuan disa nga mbështetësit e tij që hynë në Kapitol më 6 janar 2021.

Ligjvënësi Jamie Raskin, drejtues i demokratëve në Komisionin për Gjyqësorin në Dhomën e Përfaqësuesve, e quajti fjalimin e Presidentit Trump “një shkelje tronditëse të kufijve tradicionalë ndërmjet zbatimit të pavarur të legjislacionit penal dhe kompetencave politike presidenciale”.

Duke folur përpara godinës së Departamentit të Drejtësisë pak pas fjalimit të Presidentit Trump, ligjvënësi Raskin tha se “asnjë president tjetër në historinë amerikane nuk ka shpallur nga brenda selisë së Departamentit i Drejtësisë një axhendë hetimesh penale dhe ndëshkimesh ndaj kundërshtarëve të tij politikë”.

Presidenti Trump ka kritikuar prej kohësh Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në. Ai ka caktuar aleatët e tij politikë në pozicionet drejtuese kryesore në të dyja këto agjenci. Drejtori i FBI-së, Kash Patel dhe Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi ishin të pranishëm gjatë aktivitetit të së premtes.

Gjatë fjalës së saj prezantuese, zonja Bondi tha se “të gjithë ne punojmë për presidentin më të mrekullueshëm në historinë e vendit tonë… Ai nuk do të ndalet kurrë së luftuari për ne dhe ne nuk do të ndalemi kurrë së luftuari për të dhe për vendin tonë”.

Gjatë fjalimit të tij, Presidenti Trump premtoi “reforma historike” në agjencitë dhe tha se “nën drejtimin e administratës Trump, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja do të bëhen sërish agjencitë kryesore për të luftuar krimin në mbarë botën”.

Fjalimi i ngjasoi aktiviteteve të mëparshme, me muzikë që luhej në sfond përpara se Presidenti Trump të hynte në hollin kryesor të Departamentit të Drejtësisë dhe fjalimi i tij preku disa nga temat kryesore të fushatës së tij, përfshirë sigurinë kufitare dhe luftën ndaj kriminalitetit të dhunshëm.

Në lidhje me kriminalitetin, Presidenti Trump tha se vrasjet, krimet ndaj pronës dhe grabitjet u rritën gjatë administratës së ish-Presidentit Biden.

“Nuk kam mision më të lartë si president i Shteteve të Bashkuara se sa t’i jap fund këtyre vrasjeve dhe shkeljeve të ligjit dhe që ta bëj Amerikën sërish të sigurtë. Dhe kjo është përse ju të gjithë jeni këtu sot në këtë sallë. Duam të mbrojmë amerikanët dhe ne mbrojmë të gjithë ata që janë në vendin tonë”, tha ai./VOA




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button