
Presidenti i SHBA, Donald Trump ka vendosur që të largojë Richard Grenell nga drejtimi i Qendrës Kennedy dhe do ta zëvendësojë me Matt Floca, i cili është nënkryetari aktual i operacioneve të ambienteve të qendrës së arteve.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Trump përmes një postimi në Truth Social.
“Jam i kënaqur të njoftoj se Matt Floca, në varësi të miratimit nga Bordi i Drejtorëve, do të emërohet Drejtori Operativ dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës TRUMP KENNEDY, ku si Zëvendëspresident i Operacioneve Matt na ka ndihmuar të arrijmë përparim të jashtëzakonshëm në ngritjen e Qendrës në nivelin më të lartë të ekselencës!, shkroi mes të tjerash presidenti i SHBA.
Mandati i Richard Grenell si president i përkohshëm i Qendrës Kendedy, është shoqëruar me tensione dhe polemika. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar anulime të bujshme shfaqjesh, protesta, rënie në shitjen e biletave si dhe shqetësime për gjendjen financiare të institucionit.
Sipas një burimi nga Shtëpia e Bardhë, cituar nga CNN, Donald Trump kishte krijuar përshtypjen se Grenell kishte bërë gabime në drejtimin e Qendrës Kennedy, veçanërisht në menaxhimin e publicitetit. Një burim tjetër shtoi se presidenti ishte acaruar me të gjatë ditëve të fundit.
Ndërkohë, një burim pranë Qendrës Kennedy kritikoi Grenellin për mungesë përvoje dhe njohurish në botën e artit. Sipas burimit, qasja e tij agresive, e përshkruar si veprim “me çekiç” dhe përmes “fushatave mashtruese”, po rrezikonte ta çonte institucionin në një drejtim të gabuar.
starnews.al
